Kalo te përmbajtja

Moment/Robert D. Barnes via Getty Images

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Gjuha e kolibrit

Gjuha e kolibrit

 Dikur shkencëtarët mendonin se kolibri e merrte nektarin nëpërmjet disa gypthave të hollë që ka në gjuhë. Mendonin se nektari ngjitej lart nëpër gypa me anë të një procesi që quhet dukuria e kapilaritetit. Por, studimet e fundit kanë treguar se ky zog përdor një metodë akoma më të efektshme, që mund të përshkruhet si «grackë lëngu».

 Shqyrto faktet: Kur gjuha e kolibrit prek nektarin, ajo ndahet horizontalisht në dy pjesë, ngjashëm një piruni me dy dhëmbëza. Maja e secilës pjesë përshkohet nga shumë xhepa, të cilët janë të mbyllur. Kur këto maja zgjaten dhe prekin lëngun, xhepat hapen dhe e fusin nektarin brenda. Pra, kolibri nuk e thith nektarin si me pipëz. Pastaj, kur ai tërheq gjuhën, ndodh e kundërta—xhepat mbyllen dhe nektari ngec brenda.

 Studiuesit Alehandro Riko Guevara, Tai Si Fan dhe Margareta Rubega thonë se i gjithë ky proces zgjat «më pak se një e dhjeta e sekondit». Ata shtojnë: «Maja e gjuhës, kjo grackë lëngu, është një pajisje dinamike që ndryshon . . . formë në mënyrë drastike teksa hyn dhe del nga lëngu.»

 Për më tepër, ky zog i vogël nuk harxhon fare energji kur përdor këtë pajisje. Majat e gjuhës hapen dhe mbyllen si pasojë e forcave komplekse që veprojnë mbi to, ndërsa futen dhe dalin nga lëngu.

 Ngaqë gjuha e kolibrit është një grackë lëngu tejet e efektshme, studiuesit besojnë se mund të imitojnë mënyrën si funksionon ajo në mjekësi, në robotikë dhe në fusha të tjera. Gjithashtu mund të ndihmojë në krijimin e mjeteve për pastrimin e lëngjeve ose të rrjedhjeve të naftës.

 Shih një kolibër teksa zgjat gjuhën

 Si mendon? A erdhi me evolucion gjuha e sofistikuar e kolibrit? Apo është projektuar?