Kalo te përmbajtja

BluePlanetArchive/Whale Watch Azores

Zhytja e balenës me sqep të Kuvierit

Zhytja e balenës me sqep të Kuvierit

 Balena me sqep e Kuvierit zhytet në thellësi deri në 2.992 metra, ku trysnia është rreth 30.300 kilopaskalë. Kjo balenë mund të qëndrojë nën ujë për një kohë të gjatë. Sipas një studimi, një prej tyre ka qëndruar nën ujë për 3 orë e 42 minuta, para se të kthehej në sipërfaqe për të marrë frymë. Si e përballojnë këta gjitarë një trysni kaq të lartë dhe si jetojnë me aq pak oksigjen për periudha të gjata kohe?

 Ashtu siç ndodh me gjitarë të tjerë ujorë, zgavra e kraharorit të balenës paloset dhe mushkëritë tkurren. Studiuesit kanë zbuluar se gjitarët ujorë përdorin më pak oksigjen kur rrahjet e zemrës ulen në mënyrë drastike dhe kur qarkullimi i gjakut përqendrohet te truri, te zemra dhe te muskujt.

 Për më tepër, gjitarët ujorë e ruajnë oksigjenin në muskuj me anë të një proteine që quhet mioglobinë. Gjatë zhytjes në thellësi, mioglobina e çliron oksigjenin sipas nevojës. Përqendrimi i mioglobinës te muskujt e këtyre gjitarëve është shumë më i lartë se te njerëzit dhe te kafshët tokësore.

 Megjithatë, një studiues nxori këtë përfundim në lidhje me balenat me sqep të Kuvierit: «Ato zhyten në thellësi të jashtëzakonshme. Me njohuritë që kemi deri tani për mënyrën si funksionojnë trupat e kafshëve, nuk e shpjegojmë dot se si këto balena zhyten në thellësi të tilla.» Shkencëtarët shpresojnë të mësojnë më shumë rreth zhytjes së këtyre balenave, sepse kjo mund të ndihmojë mjekët të trajtojnë më mirë sëmundje të tilla, si mosfunksionimi i mushkërive.

 Si mendon? A erdhi me evolucion aftësia e balenës me sqep të Kuvierit për t’u zhytur në thellësi të mëdha e për një kohë të gjatë? Apo është projektuar?