Kalo te përmbajtja

Pse ka kaq shumë fe të krishtere?

Pse ka kaq shumë fe të krishtere?

Përgjigjja e Biblës

 Njerëzit i kanë përdorur mësimet e Jezu Krishtit për të krijuar lloj-lloj fesh «të krishtere». Megjithatë, Bibla tregon se ka vetëm një formë të vërtetë të krishterimit. Shqyrto veç tri arsye pse nxjerrim këtë përfundim.

  1.   Jezui tha se u mësonte të tjerëve «të vërtetën», dhe të krishterët e hershëm i referoheshin fesë së tyre si ‘e vërteta’. (Gjoni 8:​32; 2 Pjetrit 2:2; 2 Gjonit 4; 3 Gjonit 3) Këto shprehje tregojnë se ata që përhapin doktrina që bien ndesh me mësimet e Jezuit, nuk po praktikojnë formën e vërtetë të krishterimit.

  2.   Bibla mëson se të krishterët ‘duhet të flasin të gjithë në harmoni’. (1 Korintasve 1:​10) Gjithsesi, shumë fe të krishtere nuk janë dakord as me një mësim aq thelbësor si ç’do të thotë të jesh i krishterë. Këto fe nuk mund të kenë të gjitha të drejtë.​—1 Pjetrit 2:​21.

  3.   Jezui profetizoi se shumë do të pohonin se ishin të krishterë, por nuk do t’u bindeshin urdhërimeve të tij, dhe se ai nuk do t’i pranonte. (Mateu 7:21-23; Luka 6:46) Disa do të mashtroheshin nga udhëheqës fetarë që e ndotin adhurimin e vërtetë për të ndjekur interesat e veta. (Mateu 7:15) Megjithatë, të tjerë do të preferonin një imitim të krishterimit, sepse do t’u mësonte gjërat që do të donin të dëgjonin dhe jo të vërtetën nga Bibla.​—2 Timoteut 4:​3, 4.

 Në ilustrimin për grurin dhe egjrat, Jezui paratha një rebelim të madh (apostazi) ndaj krishterimit të vërtetë. (Mateu 13:24-​30, 36-​43) Për një kohë të gjatë nuk do të mund të bëhej dallimi mes të krishterëve të vërtetë dhe të krishterëve të rremë. Ashtu si paratha Jezui, apostazia lulëzoi pas vdekjes së apostujve. (Veprat 20:29, 30) Ndonëse ka lloj-lloj mësimesh apostate, format e ndryshme të imitimit të krishterimit «janë larguar nga e vërteta».​—2 Timoteut 2:​18.

 Gjithashtu, Jezui paratha se në fund, dallimi mes krishterimit të vërtetë dhe atij të rremë do të bëhej i qartë. Kjo ka ndodhur në kohën tonë, gjatë ‘përfundimit të sistemit’.​—Mateu 13:30, 39.