Kalo te përmbajtja

Transfuzionet e gjakut​—Çfarë thonë mjekët tani?

Transfuzionet e gjakut​—Çfarë thonë mjekët tani?

Për dekada të tëra, Dëshmitarët e Jehovait janë kritikuar ngaqë nuk pranojnë të bëjnë transfuzion gjaku. Ky refuzim, që bazohet tek urdhri i Biblës ‘për të qëndruar larg nga gjaku’, ndonjëherë ka rënë ndesh me atë që mjekët mendonin se ishte në të mirë të pacientëve.​—Veprat 15:29.

Por zëra me përvojë në fushën e mjekësisë, po përdorin gjithnjë e më tepër metoda mjekësore pa transfuzion gjaku.

Në pranverë të 2013-s, revista Stanford Medicine Magazine, një botim i Stanford University School of Medicine, botoi një raport special për gjakun, një artikull i të cilit titullohej Kundër rrjedhës​—Pse po bëhen gjithnjë e më pak transfuzione gjaku?, (anglisht). Autorja e këtij artikulli, Sarah C. P. Williams, thotë: «Gjatë dekadës së fundit, gjithnjë e më tepër kërkime kanë treguar se në spitalet anembanë botës, gjaku i dhuruar përdoret më shpesh dhe në sasi më të mëdha nga ç’u nevojitet pacientëve, si në sallat e operacioneve, ashtu edhe në pavijone.»

Ajo citon doktoreshën Patricia Ford, themeluese dhe drejtoreshë e Qendrës së Mjekësisë dhe Kirurgjisë pa Gjak në spitalin e Pensilvanisë. Dr. Ford thoshte: «Në kulturën mjekësore është rrënjosur ideja se njerëzit vdesin po të mos kenë njëfarë niveli të gjakut, se vetëm gjaku shpëton jetë. . . . Kjo është e vërtetë në disa raste të caktuara, a por për shumicën e pacientëve në shumicën e rasteve nuk është e vërtetë.»

Dr. Ford, e cila merret me 700 raste të Dëshmitarëve të Jehovait çdo vit, gjithashtu tha: «Shumë mjekë me të cilët fola . . . kishin konceptin e gabuar se mjaft pacientë nuk mund të mbijetojnë pa marrë gjak. . . . Edhe unë vetë mund ta kem menduar këtë deri në njëfarë mase. Por ajo që shumë shpejt mësova ishte se mund t’i trajtosh këta pacientë vetëm duke aplikuar disa metoda të lehta.»

Në gusht të vitit 2012, revista Archives of Internal Medicine botoi rezultatet e një studimi 28-vjeçar me pacientët që kishin bërë ndërhyrje në zemër në një qendër. Dëshmitarët e Jehovait e morën veten më shpejt sesa pacientët që kishin marrë gjak. Në krahasim me pacientët që merrnin gjak, Dëshmitarët kishin më pak ndërlikime gjatë kohës në spital, mundësi më të mëdha mbijetese menjëherë pas operacionit dhe 20 vjet pas operacionit.

Një artikull i gazetës The Wall Street Journal, botuar më 8 prill 2013, thoshte: «Kirurgjia pa gjak​—operacionet e kryera pa përdorimin e gjakut të dhuruar​—është përdorur prej vitesh te pacientët që refuzojnë transfuzionet për shkak të besimit fetar. Tani, spitalet po e pranojnë më shumë këtë metodë. . . . Kirurgët që mbrojnë kirurgjinë pa gjak thonë se, përveçse ulet kostoja e blerjes, ruajtjes, përpunimit, analizimit dhe transfuzionit të gjakut, kjo teknikë ul rrezikun e infeksioneve dhe të ndërlikimeve nga transfuzioni, si pasojë e të cilave pacientët qëndrojnë më gjatë në spital.»

Nuk është për t’u habitur që Robert Lorenz, shef i pavijonit që kujdeset për përdorimin e gjakut në Cleveland Clinic, shprehet: «Kur i jep gjak pacientit, ke ndjesinë e menjëhershme se po e ndihmon. . . . Por të dhënat afatgjata sugjerojnë se është krejt e kundërta.»

a Për të mësuar se ç’pikëpamje kanë Dëshmitarët e Jehovait për gjakun, shih artikullin «Pyetje që bëhen më shpesh​—Pse nuk pranoni transfuzione gjaku?»