Kalo te përmbajtja

Lart majtas: vëllezër e motra këndojnë me gëzim një këngë Mbretërie në gjuhën filipinase të shenjave. Poshtë majtas: disa që ishin të pranishëm në program, tregojnë të kënaqur vargje nga libri i Mateut në gjuhën filipinase të shenjave. Djathtas: vëllai Din Jatsek duke prezantuar librin e Mateut

29 PRILL 2024
FILIPINE

Prezantohet libri i Mateut në gjuhën filipinase të shenjave

Prezantohet libri i Mateut në gjuhën filipinase të shenjave

Të pranishmit duke duartrokitur për prezantimin e librit të Mateut në gjuhën filipinase të shenjave

Më 21 prill 2024, vëllai Din Jatsek, anëtar i Komitetit të Degës në Filipine, prezantoi librin e Mateut në gjuhën filipinase të shenjave, gjatë një programi special që u mbajt në zyrën e degës në Filipine, në Keson-Siti. Gjithsej, 413 vëllezër e motra ishin fizikisht të pranishëm për programin, dhe 3.998 të tjerë nga mbarë vendi u lidhen nëpërmjet videokonferencës. Libri u vu menjëherë në dispozicion për shkarkim në jw.org dhe në aplikacionin JW Library Sign Language.

Përllogaritet se të paktën 500.000 veta përdorin gjuhën filipinase të shenjave. Kongregacioni i parë i kësaj gjuhe u formua në vitin 1999, në Keson-Siti, dhe botime të bazuara në Bibël filluan të përktheheshin në vitin 2011. Sot, më shumë se 3.000 vëllezër e motra shërbejnë në 72 kongregacione e grupe të gjuhës së shenjave në Filipine.

Ky është libri i parë i plotë i Biblës që është përkthyer ndonjëherë në gjuhën filipinase të shenjave. Një vëlla që nuk dëgjon, u shpreh: «Para se të prezantohej ky libër, kishim vetëm disa vargje nga libri i Mateut në gjuhën tonë. Ishte sikur të kishim vetëm disa pjesë të një pazëlli (puzzle) të madh. Por tani, mund të shohim të gjithë figurën!» Një plak që shërben në një kongregacion të gjuhës filipinase të shenjave shtoi: «Libri i Mateut ka plot parime të dobishme që mund t’i përdor kur dua t’i jap zemër dikujt ose kongregacionit. Për shembull, Mateu 5:23, 24 na nxit të bëjmë paqe me vëllezërit tanë kur na lindin mosmarrëveshje. E falënderoj Jehovain që na ka siguruar këto mësime të rëndësishme në gjuhën tonë.»

Jemi shumë të lumtur që ka dalë libri i Mateut në gjuhën filipinase të shenjave, i cili do të ndihmojë edhe më shumë veta me zemër të sinqertë të nxjerrin dobi nga Fjala e Perëndisë.—Mateu 7:24, 25.