Kalo te përmbajtja

Çfarë ndodh në dasmat e Dëshmitarëve të Jehovait?

Çfarë ndodh në dasmat e Dëshmitarëve të Jehovait?

 Zakonisht në një dasmë të Dëshmitarëve të Jehovait mbahet një ceremoni e thjeshtë dhe dinjitoze e cila përfshin një fjalim të shkurtër të bazuar në Bibël. Pas ceremonisë mund të ketë një festë ku serviren ushqim dhe pije. a Në fillim të shërbimit, edhe Jezui mori pjesë në një dasmë në qytetin e Kanës.—Gjoni 2:1-11.

 Çfarë ndodh gjatë një ceremonie martesore të Dëshmitarëve të Jehovait?

 Fjalimi i martesës është pjesë e rëndësishme e ceremonisë. Atë e mban një Dëshmitar i Jehovait dhe zgjat rreth 30 minuta. Në këtë fjalim, çifti merr këshilla të çmuara e të mençura nga Bibla, që të ketë një martesë jetëgjatë, të lumtur dhe plot dashuri.—Efesianëve 5:33.

 Në shumë vende, qeveria ka autorizuar disa Dëshmitarë të Jehovait që të celebrojnë martesat e bashkëbesimtarëve. Në këto raste, në fund të fjalimit, dhëndri dhe nusja thonë betimet. Gjithashtu mund të shkëmbejnë unazat. Pastaj, ai që i celebron, i shpall burrë dhe grua.

 Në vende të tjera, ligji kërkon që një çift të bëjë celebrimin në një zyrë shtetërore. Këtë e bëjnë pak para fjalimit të martesës. Nëse dhëndri dhe nusja nuk i kanë thënë betimet në zyrën e gjendjes civile, mund t’i thonë në fund të fjalimit. Nëse tashmë e kanë bërë, mund të zgjedhin t’i përsëritin betimet, por duhet ta bëjnë këtë në kohën e shkuar. Fjalimi mbyllet me një lutje duke kërkuar bekimin e Perëndisë për çiftin e sapomartuar.

 Ku mbahet ceremonia martesore?

 Shumë Dëshmitarë zgjedhin ta mbajnë ceremoninë e martesës në një Sallë Mbretërie, kur kjo është e mundur. b Nëse më pas çifti do të bëjë dasmë, duhet të zgjedhë një vend tjetër për këtë.

 Kush mund të marrë pjesë?

 Normalisht, kur ceremonia mbahet në një Sallë Mbretërie mund të vijë kushdo, qoftë Dëshmitar ose jo. Nëse çifti ka organizuar një dasmë, e zgjedhin ata kë do të ftojnë.

 A ka një kod veshjeje?

 Edhe pse ceremonitë martesore që mbahen në Sallat e Mbretërisë nuk kanë ndonjë kod të veçantë veshjeje, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të zbatojnë parimet e Biblës për t’u veshur me modesti dhe në mënyrë dinjitoze. Ata e vlerësojnë kur edhe të tjerët bëjnë njëlloj. (1 Timoteut 2:9) Kuptohet që të njëjtat parime zbatohen edhe për festën.

 A jepen dhurata për çiftin?

 Bibla na nxit të jemi bujarë. (Psalmi 37:21) Dëshmitarët e Jehovait gjejnë kënaqësi kur japin dhe kur marrin dhurata për martesën. (Luka 6:38) Mirëpo, Dëshmitarët as kërkojnë dhurata dhe as tregojnë para të gjithëve emrat e atyre që u kanë bërë dhurata. (Mateu 6:3, 4; 2 Korintasve 9:7; 1 Pjetrit 3:8) Ky zakon jo vetëm që nuk bazohet në Bibël, por edhe i vë në siklet të ftuarit.

 A ngrihet dolli?

 Jo. Dëshmitarët nuk ngrenë dolli, sepse ky zakon i ka rrënjët te traditat e fesë së rreme. c Dëshmitarët e urojnë çiftin në mënyra të tjera.

 A hidhet oriz dhe karamele?

 Jo. Në disa vende, çiftit të sapomartuar i hedhin oriz, karamele, letra shumëngjyrëshe ose gjëra të ngjashme. Ata besojnë se kjo do t’i sjellë çiftit fat, lumturi dhe jetë të gjatë. Mirëpo, Dëshmitarët e Jehovait i shmangin zakonet që lidhen me bestytnitë ose nuk i urojnë fat çiftit. Ato bien ndesh me atë që thuhet në Bibël.—Isaia 65:11.

 A ka ushqim dhe pije?

 Gjatë ceremonisë martesore në Sallën e Mbretërisë nuk ka ushqim dhe pije. Disa çifte organizojnë një festë pas ceremonisë ku mund të serviren ushqime ose gjëra të lehta. (Eklisiastiu 9:7) Nëse vendosin të shërbejnë alkool duhet të jetë në një masë të moderuar dhe vetëm për ata që ua lejon ligji të konsumojnë alkoolin.—Luka 21:34; Romakëve 13:1, 13.

 A ka muzikë dhe a kërcehet?

 Nëse çifti ka organizuar një festë, mund të zgjedhë që të ketë muzikë e të kërcehet. (Eklisiastiu 3:4) Muzika varet nga preferencat personale ose kultura e vendit. Ama, duhet të jetë e përzgjedhur. Shpesh, gjatë ceremonisë martesore në Sallat e Mbretërisë ka muzikë me tema të bazuara në Shkrime.

 A i festojnë Dëshmitarët e Jehovait përvjetorët e martesës?

 Meqë parimet e Biblës as nuk i ndalojnë dhe as nuk i miratojnë përvjetorët e martesës, çiftet Dëshmitare vendosin vetë nëse do t’i festojnë ose jo. Mund ta bëjnë këtë me njëri-tjetrin ose me miqtë e familjen.

a Zakonet, traditat dhe kërkesat ligjore ndryshojnë nga vendi në vend.

b Dëshmitari që mban fjalimin e ceremonisë së martesës nuk paguhet. Gjithashtu, çifti nuk paguan për të përdorur Sallën e Mbretërisë.

c Për të mësuar më tepër për origjinën pagane të dollisë, shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës, 15 shkurt 2007.