Kalo te përmbajtja

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—Në Shqipëri dhe në Kosovë

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—Në Shqipëri dhe në Kosovë

 «S’e kisha menduar kurrë se do të kisha mundësi t’i shërbeja Jehovait në një mënyrë kaq të plotë!» Kështu i përshkruan Gueni nga Anglia ndjenjat e saj për shërbimin në Shqipëri, a një vend ku ka shumë nevojë për lajmëtarë.

 Gueni është një nga Dëshmitarët e shumtë që janë transferuar në Shqipëri për të dhënë një dorë që të mblidhen «thesaret e të gjitha kombeve». (Hageu 2:7) Por, çfarë i ka nxitur këta ungjillëzues të ndërmerrnin këtë hap? Cilat ndryshime kanë bërë që të mund të transferoheshin? Dhe si i ka ndihmuar gëzimi që të qëndrojnë, pavarësisht nga sfidat?

Rrethana të ndryshme, dëshirë e njëjtë

 Të gjithë lajmëtarët që kanë ardhur në Shqipëri për të ndihmuar, kanë një motiv të përbashkët: e duan Jehovain dhe duan të ndihmojnë edhe të tjerë që ta njohin atë.

 Para se të transferoheshin, bënë hapa që ta zgjeronin shërbimin dhe kjo i ndihmoi të përballonin sfidat që vijnë kur shërben përtej kufijve të vendit tënd. Gueni thotë: «Fillimisht u transferova në një grup të gjuhës shqipe në qytetin tim. Më pas vizitova Shqipërinë për të ndjekur një kongres. Më vonë u ktheva sërish që të rrija pak më gjatë, me qëllim që të përmirësoja gjuhën.»

Gueni

 Kur ishte 23 vjeçe, Manuela nga Italia, u transferua në një zonë tjetër brenda Italisë, që të ndihmonte një kongregacion të vogël. Ajo komenton: «Shërbeva atje për 4 vjet. Pastaj dëgjova se në Shqipëri kishte goxha punë. Kështu që i organizova gjërat që të shërbeja atje si pioniere për pak muaj.»

Manuela (në mes)

 Federika ishte vetëm 7 vjeçe kur dëgjoi një raport për Shqipërinë në një kongres. Ajo shprehet: «Vëllai që bëri raportin, tha se lajmëtarët në Shqipëri po studionin Biblën me shumë veta dhe se të interesuarit po ndiqnin mbledhjet. U thashë prindërve se do të më pëlqente të shkoja në Shqipëri. Mbetën pa fjalë nga dëshira që shpreha, por im atë më tha: ‘Lutu për këtë dhe, nëse është vullneti i Jehovait, ai do ta dëgjojë lutjen tënde.’ Brenda pak muajsh na ftuan të shërbenim si familje në Shqipëri!» Që atëherë kanë kaluar shumë vjet dhe sot Federika është martuar me Orgesin. Tani shërbejnë në kohë të plotë në Shqipëri.

Orgesi dhe Federika

 Pasi Xhanpiero doli në pension, u transferua në Shqipëri bashkë me gruan, Glorian. Ai thotë: «I rritëm të 5 djemtë kur ishim në Itali. 3 prej tyre u transferuan jashtë vendit për të shërbyer atje ku kishte më tepër nevojë për lajmëtarë. Na preku zemrën një artikull i Kullës së Rojës, me titull ‘A mund të kalosh në Maqedoni?’ U ulëm dhe nisëm të diskutonim si mund ta përdornim pensionin tim për të shërbyer në Shqipëri.»

Xhanpiero dhe Gloria

Bënë planet me shumë kujdes

 Ata që transferohen atje ku ka më tepër nevojë, duhet të planifikojnë me kujdes shumë kohë më përpara dhe të bëjnë ca ndryshime. (Luka 14:28) Ndër të tjera duhet të gjejnë mënyra si të mbështetin veten ekonomikisht. Ndërsa ishte akoma në Angli, Gueni, që u përmend më lart, në fillim shkoi të jetonte me të motrën që të kursente pará. Sofi dhe Kristoferi, që po ashtu janë nga Anglia, sjellin ndër mend: «Shitëm makinën dhe disa mobilie. Shpresonim që të qëndronim në Shqipëri për të paktën një vit.» Jemi të kënaqur që ata ndenjën goxha më gjatë.

Kristoferi dhe Sofi

 Disa lajmëtarë qëndrojnë në Shqipëri për ca muaj, kthehen në vendet e tyre për të punuar, kursejnë pará, pastaj shkojnë prapë në Shqipëri. Kështu ndodhi me Eliseon dhe Miriamin. Eliseo shpjegon: «Miriami është nga një zonë e Italisë që preferohet jashtë mase nga turistët dhe ku mund të gjesh punë sezonale kollaj fare. Shkonim atje dhe punonim 3 muajt e verës, dhe me ato të ardhura jetonim në Shqipëri gjatë 9 muajve të tjerë të vitit. Këtë e bëmë për 5 vjet.»

Miriami dhe Eliseo

Përballojnë vështirësitë

 Pasi transferohen, këta vëllezër e motra duhet të përshtaten me rrethana të reja, por këshillat dhe shembulli i Dëshmitarëve vendës i ndihmon t’ia dalin mbanë. Sofi, që u përmend më lart, thotë: «Në Shqipëri, gjatë dimrit shtëpitë janë akull të ftohta, shumë më të ftohta krahasuar me ato që isha mësuar në vendin tim. Kështu që shihja si visheshin motrat vendëse dhe mësova prej tyre.» Gzhegori dhe bashkëshortja e tij, Sona, erdhën nga Polonia që të shërbenin në Kosovë, b në qytetin piktoresk të Prizrenit. Gzhegori thotë: «Lajmëtarët vendës janë aq të përulur, të mirë dhe të duruar! Po na ndihmojnë të mësojmë gjuhën dhe plot gjëra të tjera. Për shembull, na kanë ndihmuar të gjejmë dyqane me çmime të arsyeshme dhe na kanë shpjeguar si të bëjmë pazar në tregjet vendëse.»

Arsye të shumta për të gëzuar

 Ata që transferohen në një vend tjetër, nxjerrin dobi nga miqësitë e ngushta me Dëshmitarët vendës dhe mësojnë për kulturën vendëse. Sona shpjegon: «Kam parë ç’forcë të jashtëzakonshme ka dashuria e Jehovait. Më forcohet besimi kur shoh vëllezër që e kanë ndryshuar jetën dhe bindjet kryekëput pasi njohën Jehovain. Ndihemi vërtet të dobishëm në kongregacion. Po shërbejmë krah për krah me vëllezër e motra me të cilët jemi bërë miq.» (Marku 10:29, 30) Gloria thotë: «Njoh gjithë ato motra që kanë përballuar kundërshtime dhe dhunë nga persona në komunitetin e tyre që janë kundër Dëshmitarëve. Sinqerisht prekem thellë në zemër nga dashuria që kanë për Jehovain.»

Gzhegori dhe Sona

 Ata që shërbejnë në vende ku ka më tepër nevojë për lajmëtarë, kanë mundësi të mësojnë edhe gjëra me vlerë që mbase nuk i kishin mësuar në vendin e tyre. Për shembull, shohin se, kur del nga zona jote e rehatisë për t’i shërbyer më shumë Jehovait, ndien gëzim të madh. Ja si e përshkruan Stefano këtë: «Në vendin tim predikoja kryesisht nëpërmjet citofonit, duke përdorur prezantime të shkurtra. Mirëpo, shqiptarëve u pëlqen ta marrin shtruar muhabetin, sidomos kur pinë kafe. Ngaqë jam tejet i ndrojtur, në fillim ndihesha në siklet se nuk dija ç’të thosha. Megjithatë, dalëngadalë mësova të përqendrohesha te njerëzit e tani kënaqem kur flas me ta dhe shërbimi më sjell më tepër gëzim.»

Alida dhe Stefano

 Lea u transferua nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri bashkë me burrin e saj, Uilliamin. Ajo komenton: «Shërbimi këtu na ka hapur mendjen dhe na e ka zgjeruar pikëpamjen. Kemi mësuar kaq shumë për mikpritjen, respektin dhe miqësitë. Kemi mësuar mënyra të reja si të predikojmë, si të arsyetojmë nga Shkrimet dhe si të shprehemi.» Uilliami thotë: «Shumë njerëz që vizitojnë Shqipërinë, bien në dashuri me plazhet magjepsëse, kurse mua më pëlqen të eci nëpër terrenet e ashpra malore në alpet e Shqipërisë. Por, arsyeja kryesore pse e dua këtë vend, janë njerëzit që jetojnë këtu. Mjaft fshatra në territorin tonë kanë marrë fare pak dëshmi vetëm gjatë fushatave speciale. Kur shkojmë atje, ndonjëherë kalojmë tërë ditën duke folur vetëm me ca familje.»

Uilliami dhe Lea

 Kënaqësia më e madhe e atyre që shërbejnë në një vend tjetër, është kur shohin njerëz që reagojnë pozitivisht ndaj lajmit të mirë. (1 Selanikasve 2:19, 20) Laura, që u transferua në Shqipëri kur ishte beqare, tregon një rast: «Për njëfarë kohe shërbeva në Fier. Brenda vetëm 2 viteve e gjysmë patëm 120 lajmëtarë të rinj! Unë kam studiuar me 16 prej tyre.» Një motër tjetër, Sandra, sjell ndër mend: «I predikova një gruaje që punonte në treg. Ajo u bë motër dhe u kthye të jetonte në fshat. Herën e fundit që kam folur me të, më tha se po studionte Biblën me 15 veta.»

Laura

Sandra

Jehovai bekon qëndrueshmërinë e tyre

 Disa nga vëllezërit e motrat që u transferuan në Shqipëri vite më parë, janë akoma atje dhe po e shijojnë jashtë mase shërbimin. Ndonjëherë mrekullohen kur shohin se farat që mbollën dikur, po japin fryt pas shumë vitesh. (Eklisiastiu 11:6) Për shembull, Kristoferi, që u përmend më sipër, komenton: «Takova një burrë me të cilin kisha filluar të studioja Biblën kur sapo kishim ardhur në Shqipëri. U preka thellë kur më tregoi se i mbante mend me hollësi bisedat tona të para për Biblën. Tani ai me gruan janë shërbëtorë të pagëzuar të Jehovait.» Federika, që u përmend më lart, shprehet: «Në një kongregacion m’u afrua një motër dhe më pyeti nëse e mbaja mend. Më tha se i kisha predikuar para 9 vjetësh. Pak pasi u transferova në një qytet tjetër, ajo kishte nisur të studionte Biblën, kishte përparuar dhe ishte pagëzuar. Mendoja se vitet tona të para në Shqipëri nuk ishin të suksesshme. Sa gabim e kisha!»

 Vëllezërit e motrat që u transferuan në Shqipëri ose Kosovë, i janë mirënjohës Jehovait kur shohin si ua ka bekuar përpjekjet ai dhe u ka dhuruar një jetë shpërblyese. Pas shumë vitesh në Shqipëri, Eliseo e përmbledh me këto pak fjalë eksperiencën e tij: «Si njerëz mashtrohemi fare kollaj nga mendimi se mund të kemi një jetë stabël, duke u mbështetur te gjërat që bota i konsideron stabël. Mirëpo, ky është thjesht një iluzion. Nga ana tjetër, parimet e Jehovait na japin një qëllim në jetë dhe stabilitet të vërtetë. Dhe shërbimi ku ka më tepër nevojë më ndihmon të mos e harroj këtë. Ndihem i dobishëm dhe i çmuar. Jam bekuar me miq të vërtetë, të cilët kanë të njëjtat synime.» Edhe Sandra është në një mendje me të. Ajo shprehet: «Kur u transferova aty ku ka më tepër nevojë, e ndieva se Jehovai po më jepte mundësi të plotësoja atë që dëshiroja prej kohësh—të isha misionare. Kurrë nuk jam penduar që jam transferuar në Shqipëri. Dhe nuk kam qenë asnjëherë më e lumtur se tani.»

a Mund të mësoni më shumë për historinë e veprës sonë të predikimit në Shqipëri në Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait, 2010.

b Kosova ndodhet në verilindje të Shqipërisë. Në këtë rajon shumë veta flasin një dialekt të gjuhës shqipe. Dëshmitarë nga Shqipëria, nga disa vende të Evropës dhe nga Shtetet e Bashkuara janë transferuar në Kosovë, që të japin një dorë për t’u predikuar lajmin e mirë atyre që flasin dialektin e gjuhës shqipe atje. Deri në vitin 2020, në Kosovë kishte 256 lajmëtarë në 8 kongregacione, 3 grupe dhe 2 paragrupe.