Kalo te përmbajtja

Mbeti pa fjalë nga rezultatet

Mbeti pa fjalë nga rezultatet

 Një nënë beqare që quhet Desikera, dëshironte të zgjeronte shërbimin, ndaj vuri si synim të bëhej pioniere e rregullt. Edhe pse jeton në Venezuelë, një vend me shumë probleme ekonomike, ishte e vendosur të niste këtë lloj shërbimi, dhe në fund ia doli. Ishte mjaft e lumtur ndërsa shërbente si pioniere, kur papritur shpërtheu pandemia COVID-19.

 Në fillim të pandemisë, Desikera nuk e kishte të lehtë të përshtatej me rrethanat e reja të shërbimit. E kishte të vështirë të shkruante letra e madje të pamundur të predikonte me anë të videokonferencave, pasi lidhja e internetit kushtonte shumë në zonën e saj. Ajo thotë: «Ndihesha përtokë. Ngaqë nuk predikoja dot si zakonisht, mendoja se nuk po e përmbushja siç duhej caktimin tim.»

 Më pas, në janar të 2021-shit, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Venezuelë organizoi një fushatë speciale predikimi. U morën masa që të transmetoheshin fjalime të përzgjedhura nga Bibla në 60 stacione radiofonike dhe në 7 televizive, gjatë pesë fundjavëve të atij muaji. Dëshmitarët u nxitën të ftonin sa më shumë njerëz që të dëgjonin. Gjithashtu, zyra përgatiti pyetje dhe shkrime për çdo fjalim, që vëllezërit dhe motrat t’i përdornin kur të shkruanin letra dhe të bënin biseda telefonike. Veç kësaj, ajo i inkurajoi lajmëtarët të predikonin me anë të mesazheve të shkruara, një formë e re dëshmie për shumë Dëshmitarë në Venezuelë.

 Desikera mezi priste të merrte pjesë në fushatë. Edhe pse nuk kishte predikuar kurrë me mesazhe, vendosi ta provonte. Si fillim i duhej pak ndihmë. «Nuk jam aq e zonja me teknologjinë»,—pranon ajo. Prandaj i kërkoi ndihmë vajzës së vet dhe shumë shpejt ia mori dorën.

Desikera

 Me anë të mesazheve, ftoi shumë prej të njohurve të saj të dëgjonin fjalimet e regjistruara. Desikera mbeti pa fjalë nga rezultatet. Një pjesë e madhe e atyre që kontaktoi, i dëgjuan fjalimet dhe bënë pyetje të ndryshme. Të tjerë që nuk arritën t’i dëgjonin, e pyetën se çfarë ishte diskutuar në fjalime. «Përgatita një përmbledhje të shënimeve të mia dhe e përdora për t’u folur për fjalimet,—thotë Desikera.—Më parë nuk bëja më shumë se 5 rivizita në muaj, ama në fund të fushatës raportova 112 rivizita.» a

 Desikera ftoi edhe të motrën jo Dëshmitare që banon ngjitur me të, që të dëgjonte fjalimet në radio. «Për habinë time, motra pranoi,—thotë Desikera.—Çdo të diel, në orën 8 të mëngjesit, shkoja në shtëpinë e saj dhe i dëgjonim fjalimet të dyja. Më bënte shumë pyetje, si gjatë, edhe pas fjalimeve.» Motra e Desikerës ndoqi edhe përkujtimin e vdekjes së Jezuit nëpërmjet videokonferencës. Madje e lejoi Desikerën të përdorte internetin e saj sa herë që i duhej për shërbim.

 «I jam pa fund mirënjohëse Jehovait,—thotë Desikera.—Falënderoj nga zemra edhe pleqtë e kongregacionit që më inkurajuan. Më dhanë shumë forcë dhe ma rikthyen gëzimin në shërbim.» (Jeremia 15:16) Desikera vazhdon të shërbejë si pioniere dhe të vizitojë ata që ka kontaktuar me anë të mesazheve.

a Dëshmitarët e Jehovait e zhvillojnë veprën e tyre në përputhje me ligjet në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.