Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

«Nuk jam më njeri mizor»

«Nuk jam më njeri mizor»
  • Lindur: 1973

  • Vendi i lindjes: Ugandë

  • Të dhëna: Pijanec i dhunshëm dhe imoral

E KALUARA IME

 Linda në Ugandë në krahinën e Gombës. Shumica e njerëzve atje ishin shumë të varfër. Në qytetin tonë nuk kishte energji elektrike, ndaj kur errësohej përdornim llamba vajguri.

 Prindërit e mi, që ishin fermerë, ishin transferuar nga Ruanda në Ugandë. Ata kultivonin kafe dhe banane. Nga bananet bënin një pije alkoolike të njohur që quhej uaragi. Mbanin edhe pula, dhi, derra dhe lopë. Nga tradita dhe mënyra si u rrita, mendoja se gruaja duhej të ishte gjithmonë e nënshtruar ndaj burrit dhe se nuk duhej ta shprehte asnjëherë mendimin e saj.

 Kur isha 23 vjeç, shkova të jetoja në Ruandë, ku frekuentoja klubet e kërcimit me të tjerë të moshës sime. Në njërin prej tyre shkoja aq shpesh saqë menaxheri më dha një kartë që të hyja pa pagesë. Më pëlqenin edhe filmat me zënka e dhunë të përgjakshme. Shoqëria dhe zbavitja ndikuan që të bëhesha pijanec i dhunshëm dhe imoral.

 Në vitin 2000, fillova të jetoja me një vajzë që quhej Skolastik Kabaguira. Më vonë u bëmë me tre fëmijë. Siç më kishin mësuar kur isha i vogël, prisja që gruaja të ulej në gjunjë kur të më përshëndeste ose të më kërkonte diçka. Pretendoja edhe se çdo zotërim i familjes më përkiste vetëm mua, dhe mund të bëja me të si të doja. Shpesh e kaloja natën jashtë e kthehesha në shtëpi në tre të mëngjesit, në shumicën e rasteve i dehur. Trokisja në derë, e nëse Skolastika vonohej për ta hapur e rrihja.

 Në atë kohë punoja si përgjegjës për një kompani sigurimesh private dhe merrja rrogë të mirë. Kur shkoja në shtëpi, Skolastika përpiqej të më bindte të bëhesha pjesë e kishës së saj pentekostale, duke shpresuar se kështu do të ndryshoja. Mirëpo, unë nuk doja. Në vend të kësaj, u lidha me një grua tjetër. Për shkak të sjelljes sime mizore dhe imorale, Skolastika i mori të tre fëmijët dhe iku të jetonte me prindërit e saj.

 Një miku ynë i moshuar më këshilloi të ndryshoja stilin e jetës dhe të kthehesha te Skolastika. Ai më tha se fëmijët e mi të bukur nuk e meritonin të jetonin pa baba. Kështu në vitin 2005 lashë alkoolin, u ndava nga gruaja tjetër dhe shkova të jetoja me Skolastikën. Më 2006-n u martuam. Por përsëri, vazhdoja të isha i dhunshëm e ta trajtoja keq gruan time.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA

 Në vitin 2008, një Dëshmitar i Jehovait i quajtur Zhoel trokiti në derën e shtëpisë. Dëgjova ç’kishte për të thënë. Për disa muaj ai dhe Bonaventuri, një Dëshmitar tjetër, vinin rregullisht dhe flisnim për Biblën. Bëja shumë pyetje, sidomos për librin e Zbulesës. Në fakt doja t’u tregoja Dëshmitarëve se e kishin gabim. Për shembull, i pyeta pse besonin që ‘shumica e madhe’ e përmendur te Zbulesa 7:9 do të jetonte në tokë, ndërkohë që te ai varg thuhej se ata «qëndronin para fronit [të Perëndisë] e para Qengjit», Jezu Krishtit. Zhoeli iu përgjigj pyetjeve të mia me durim. Për shembull, ai më tregoi Isainë 66:1, ku Perëndia e quan tokën «stoli im i këmbëve.» Pra, shumica e madhe qëndron në tokë para fronit të Perëndisë. Pastaj lexova Psalmin 37:29 që thotë se të drejtët do të jetojnë përgjithmonë në tokë.

 Me kalimin e kohës rashë dakord të studioja Biblën. Kështu, unë dhe Skolastika filluam të studionim me Bonaventurin. Ndërsa studionim Biblën, gjeta forcën që të bëja ndryshime në jetë. Mësova që ta trajtoj gruan me respekt. Nuk doja më që të ulej në gjunjë kur të më përshëndeste ose të më kërkonte diçka. As nuk pretendoja më se zotërimet e familjes më përkitnin vetëm mua. Hoqa dorë edhe nga filmat e dhunshëm. Nuk ishte e lehtë t’i bëja këto ndryshime, ndaj m’u desh shumë vetëkontroll dhe përulësi.

Bibla më mësoi të bëhem një bashkëshort shumë më i mirë

 Disa vite më parë e kisha çuar djalin e madh, Kristjanin, të jetonte me të afërmit në Ugandë. Por pasi lexova Ligjin e përtërirë 6:4-7, kuptova se jemi unë dhe gruaja përgjegjës para Perëndisë për t’u kujdesur për fëmijët dhe për t’u mësuar parimet hyjnore. Si ne, si djali u gëzuam shumë kur u kthye në shtëpi.

DOBITË

 Mësova se Jehovai është Perëndi i mëshirshëm dhe kam besim se më ka falur, pavarësisht nga qëndrimi dhe sjellja ime në të kaluarën. Jam i kënaqur që Skolastika e studioi Biblën bashkë me mua. Ia kushtuam jetën Jehovait dhe u pagëzuam të dy më 4 dhjetor 2010. Tani kemi besim te njëri-tjetri dhe shijojmë dobitë që vijnë kur zbatojmë parimet e Biblës në familje. Gruaja është e lumtur që, pasi mbaroj punën, vij menjëherë në shtëpi. Ajo më vlerëson edhe sepse e trajtoj me dinjitet e respekt, kam hequr dorë nga alkooli dhe nuk jam më i dhunshëm. Në vitin 2015, u emërova plak për të ndihmuar në kongregacion. Nga pesë fëmijët tanë, tre janë pagëzuar.

 Kur fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, nuk e pranova verbërisht atë që më mësonin. Ama më bënte përshtypje që përdornin Biblën për t’iu përgjigjur pyetjeve të mia. Unë dhe Skolastika kuptuam se ata që thonë se i shërbejnë Perëndisë së vërtetë duhet të zbatojnë çdo gjë që thotë Ai, jo vetëm çfarë u vjen për mbarë. I jam mirënjohës Jehovait që më tërhoqi dhe më bëri pjesë të familjes së tij. Kur kthej kokën pas, them pa pikë dyshimi se me ndihmën e Perëndisë, çdo njeri i sinqertë mund të bëj ndryshimet e duhura për t’i pëlqyer Atij.