Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

Gjeta pasurinë e vërtetë

Gjeta pasurinë e vërtetë
  • Lindur: 1968

  • Vendi i lindjes: Shtetet e Bashkuara

  • Të dhëna: Menaxher që lutej të bëhej i pasur

E KALUARA IME

 U rrita në një familje katolike në Roçester, Nju-Jork. Prindërit u ndanë kur isha 8 vjeç. Prandaj, gjatë javës jetoja me mamanë në një lagje disi të varfër dhe në fundjavë me babanë në një lagje më të pasur. Kur shikoja sa sfilitej mamaja për të na rritur ne 6 fëmijët, ëndërroja të bëhesha i pasur që të ndihmoja familjen.

 Im atë donte që të bëhesha i suksesshëm, prandaj më çoi të vizitoja një shkollë prestigjoze për menaxhim hotelerie. Më pëlqeu shumë dhe u regjistrova, me mendimin se Perëndia po i përgjigjej lutjes sime që të isha i pasur e i lumtur. Studiova pesë vjet menaxhim hotelerie, të drejtë biznesi dhe financë korporatash. Njëkohësisht punoja në një hotel me kazino në Las Vegas, Nevadë.

Puna ime përfshinte të plotësoja kërkesat e bixhozxhinjve të krimbur në para

 Në moshën 22-vjeçare isha ndihmës i zëvendëspresidentit të një hoteli me kazino. Konsiderohesha i pasur e i suksesshëm dhe shpesh shijoja ushqimet më të mira dhe verërat e pijet alkoolike më të shtrenjta. Shokët që merreshin vetë me biznes, më thoshin: «Përqendrohu te paraja, se ajo e rrotullon botën.» Për ta, sekreti i lumturisë së vërtetë ishte paraja.

 Puna ime përfshinte të plotësoja kërkesat e atyre që ishin të krimbur në para, të cilët vinin në Las Vegas për të luajtur bixhoz. Ndonëse të pasur, nuk ishin të lumtur. Njësoj po ndihesha edhe unë. Në fakt, sa më shumë para grumbulloja, aq më shumë ankth e net pa gjumë kaloja. Madje arrita deri aty sa vrisja mendjen nëse ia vlente vërtet të jetoja. I zhgënjyer nga jeta ime, iu luta Perëndisë: «Ku mund të gjej lumturi të vërtetë?»

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA

 Në atë kohë dy nga motrat e mia, që ishin bërë Dëshmitare të Jehovait, u transferuan në Las Vegas. Edhe pse refuzoja botimet e tyre, pranova të më lexonin nga Bibla ime. Në të, fjalët e Jezuit ishin të shkruara me të kuqe. Ngaqë pranoja gjithçka që thoshte Jezui, motrat përqendroheshin te fjalët e tij. Biblën e lexoja edhe vetë.

 Shumë nga gjërat që lexova, më lanë pa fjalë. Për shembull, Jezui tha: «Kur të lutesh, mos përsërit të njëjtat fjalë si paganët që mendojnë se do të dëgjohen vetëm ngaqë thonë shumë fjalë.» (Mateu 6:7, The New American Bible) Megjithatë, një prift më kishte dhënë një pikturë të Jezuit e më kishte thënë se po t’i lutesha pikturës, duke recituar dhjetë herë lutjen Ati ynë dhe dhjetë herë lutjen Ave Maria, Zoti do të më jepte aq para sa më duheshin. Mirëpo, duke recituar këto lutje përmendsh, a nuk po përsëritja të njëjtat fjalë? Lexova edhe këto fjalë të Jezuit: «Mos quani askënd në tokë Atë; ju keni një Atë të vetëm në qiell.» (Mateu 23:9, NAB) Prandaj pyesja veten: «Pse unë dhe katolikët e tjerë i thërrasim priftërinjtë ‘Atë’?»

 Një pikë kthese në jetën time ishte kur lexova në Bibël librin e Jakovit. Aty nisa të vrisja mendjen nëse isha vërtet i suksesshëm. Në kapitullin 4, Jakovi shkroi: «A nuk e dini se të duash botën do të thotë të jesh armik me Perëndinë? Prandaj ai që zgjedh të dojë botën, bëhet armik me Perëndinë.» (Jakovi 4:4, NAB) Vargu 17 i vuri kapakun: «Kur dikush e di se çfarë është e drejtë por nuk e bën, kryen mëkat.» Pastaj u telefonova motrave dhe u thashë se do të shkëputesha nga industria e kazinove, sepse më përfshinin në gjëra që tani më dukeshin të papranueshme, si bixhozi, si dhe më ushqenin lakminë.

«Një pikë kthese në jetën time ishte kur lexova në Bibël librin e Jakovit. Aty nisa të vrisja mendjen nëse isha vërtet i suksesshëm»

 Doja të përmirësoja lidhjen me Perëndinë dhe me familjarët. Prandaj vendosa ta thjeshtoja jetën, që të kisha më tepër kohë. Ama nuk ishte e lehtë. Për shembull, më erdhën oferta për të ngjitur shkallët e karrierës në industrinë e kazinove ku mund të paguhesha dyfish a madje trefish më shumë. Por, pasi u luta për këtë, vendosa që nuk e doja më atë lloj jete. Lashë punën, shndërrova garazhin e mamasë në një apartament të thjeshtë dhe u transferova aty. Përveç kësaj, hapa një biznes të vogël: plastifikoja menutë e restoranteve.

 Edhe pse Bibla më kishte ndihmuar të përcaktoja përparësitë në jetë, prapë nuk shkoja në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Motrat më pyetën çfarë kisha kundër Dëshmitarëve. Ua ktheva: «Perëndia juaj, Jehovai, ndan familjet. E vetmja periudhë kur mund të kaloj kohë me familjen janë Krishtlindjet dhe ditëlindjet, festa që ju nuk i bëni.» Njëra nga motrat filloi të qante dhe më pyeti: «Po gjithë ditët e tjera të vitit, ku je ti? Ne të presim gjithë kohës krahëhapur. Kurse ti do që të vish vetëm gjatë festave, e për më tepër, nga ndjenja e detyrës.» Fjalët e saj më depërtuan thellë në zemër dhe fillova të qaja bashkë me të.

 Kur e kuptova sa e donin familjen Dëshmitarët e Jehovait dhe sa gabim e kisha, vendosa të ndiqja një mbledhje në një Sallë Mbretërie aty afër. Atje takova Kevinin, një mësues të Biblës me përvojë, me të cilin nisa të studioja Biblën.

 Kevini dhe e shoqja bënin një jetë të thjeshtë, që të kalonin sa më shumë kohë duke ndihmuar të tjerët të kuptonin Biblën. Me të ardhurat e tyre modeste kishin mundësi edhe të shkonin në Afrikë dhe në Amerikën Qendrore, ku ndihmonin në ndërtimin e zyrave të degëve të Dëshmitarëve. Ishin jashtë mase të lumtur dhe e donin njëri-tjetrin. Mendova: «Kjo është jeta që ëndërroj.»

 Kevini më tregoi një video për gëzimin që sjell shërbimi si misionar. Aty e ndava mendjen që këtë jetë doja. Në vitin 1995, pasi studiova intensivisht Biblën për gjashtë muaj, u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait. Në vend që t’i lutesha Perëndisë për pasuri, nisa të lutesha: «Mos më jep as varfëri, as pasuri.»—Proverbat 30:8.

DOBITË

 Tani jam vërtet i pasur, jo sepse kam para, por sepse gëzoj miqësi me Perëndinë dhe një jetë të lumtur. Në Honduras njoha gruan time të shtrenjtë, Nurien. Së bashku kemi shërbyer si misionarë në Panama dhe tani në Meksikë. Sa të vërteta janë këto fjalë të Biblës: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe Ai nuk shton asnjë dhembje.»—Proverbat 10:22.