Kalo te përmbajtja

Ata mbanin një trekëndësh ngjyrë vjollcë

Ata mbanin një trekëndësh ngjyrë vjollcë

 Mada jeton në Francë dhe punon në një shkollë ku ndihmon fëmijët me aftësi të vaçanta. Në një orë mësimi kohët e fundit, fëmijët po mësonin për Holokaustin dhe kampet e përqendrimit gjatë regjimit nazist. Të burgosurit e kampeve kishin të qepur në uniformën e tyre stema prej cope në ngjyra të ndryshme. Ngjyra dhe forma e stemës tregonte arsyen pse ishte burgosur dikush.

 Për trekëndëshat ngjyrë vjollcë që mbanin disa prej të burgosurve, mësuesi tha: «Mendoj se ata që mbanin këtë ngjyrë ishin homoseksualë.» Pas mësimit, Mada foli me mësuesin dhe i shpjegoi se nazistët e përdornin trekëndëshin ngjyrë vjollcë si shenjë dalluese për Dëshmitarët e Jehovait. a Ajo i tha se me kënaqësi mund t’i sillte ca materiale në lidhje me këtë temë. Mësuesi ra dakord që ajo t’i sillte dhe që t’ua tregonte edhe nxënësve.

 Në një orë tjetër mësimi rreth po kësaj teme, një mësuese tregoi një tabelë ku shfaqeshin simbolet e ndryshme që mbanin të burgosurit. Në tabelë tregohej saktë se trekëndëshi vjollcë ishte shenja dalluese e Dëshmitarëve të Jehovait. Pasi mbaroi ora, Mada e pyeti mësuesen nëse mund t’i sillte disa informacione rreth kësaj teme. Mësuesja pranoi dhe mori masa që Mada t’u fliste edhe nxënësve për këtë.

Mada duke mbajtur botimet që përdori

 Mada përgatiti një prezantim 15-minutësh për orën e parë, por kur po fillonte ora, mësuesja i tha: «Ke gjithë orën në dispozicion.» Mada e filloi prezantimin duke shfaqur një dokumentar që tregonte si u përndoqën Dëshmitarët e Jehovait nga regjimi nazist. Kur në dokumentar u tha se nazistët i ndanë 800 fëmijë Dëshmitarë nga prindërit e tyre, Mada e ndali videon dhe lexoi historitë e tre prej atyre fëmijëve. Pas videos, Mada e mbylli prezantimin duke lexuar letrën e vitit 1940 që Gerhart Shtajnaker, një Dëshmitar 19-vjeçar nga Austria u dërgoi prindërve të tij pak orë para se nazistët ta ekzekutonin. b

 Mada prezantoi të njëjtin material edhe orën e dytë. Falë guximit të Madës, tani të dy mësuesit nuk harrojnë të përmendin Dëshmitarët e Jehovait gjatë shpjegimit të tyre rreth viktimave në kampet naziste të përqendrimit.

a Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani, që njiheshin edhe si Bibelforscher (Studentët e Biblës), u burgosën ngaqë refuzuan të përkrahnin nazistët.

b Gerhart Shtajnaker u dënua me vdekje sepse refuzoi të bashkohej me ushtrinë gjermane. Në letrën e lamtumirës, ai shkruante: «Jam ende fëmijë. Mund të qëndroj deri në fund vetëm nëse Zotëria më jep forcë, dhe këtë i kërkoj.» Gerharti u ekzekutua mëngjesin vijues. Në pllakën e varrit të tij shkruhet: «Vdiq për nder të Perëndisë.»