Kalo te përmbajtja

Drejtohet vëmendja te sintët dhe romët në Gjermani

Drejtohet vëmendja te sintët dhe romët në Gjermani

Në Gjermani jetojnë dhjetëra mijë sintë dhe romë. a Kohët e fundit, Dëshmitarët e Jehovait kanë prodhuar për ta fletushka, broshura dhe video biblike në romisht, gjuha e tyre amtare. b

Gjatë një fushate speciale në shtator dhe tetor 2016, Dëshmitarët e Jehovait u përpoqën fort t’u jepnin këtë informacion në romisht sintëve dhe romëve në qytete të ndryshme të Gjermanisë, si: Berlin, Bremerhafen, Freiburg, Hamburg dhe Heidelberg. Gjithashtu morën masa që, në Sallat e tyre të Mbretërisë, të mbaheshin mbledhje publike në romisht.

Një reagim mbresëlënës

Shumë sintë dhe romë u habitën dhe u gëzuan jashtë mase nga kjo fushatë e Dëshmitarëve. «Njerëzit ishin të entuziazmuar sepse bëmë një përpjekje të veçantë për t’i takuar»,—thanë Andrea dhe Estera, një çift që morën pjesë në fushatë. Shumë veta u prekën në zemër kur e dëgjuan dhe e lexuan mesazhin e Biblës në gjuhën e tyre amtare. Një vajzë pa videon Pse ta studiosh Biblën? në romisht dhe tha disa herë tërë habi: «Kjo është gjuha ime!»

Matiasi, një Dëshmitar që mori pjesë në fushatën e Hamburgut, thotë: «Bashkë me gruan dhe gjashtë Dëshmitarë të tjerë vizituam një zonë ku jetonin rreth 400 sintë e romë. Çdo person që takuam, na kërkoi literaturë.» Betina, edhe ajo pjesëmarrëse në fushatën e Hamburgut, shton: «Disa qanë kur panë se Dëshmitarët e Jehovait kishin botuar literaturë në romisht.» Shumë veta nisën menjëherë t’i lexonin me zë botimet, kurse të tjerë morën botime shtesë për miqtë e tyre.

Disa sintë dhe romë e pranuan ftesën për të ndjekur një mbledhje publike. Shumë nga 94 personat që ndoqën mbledhjen në Hamburg, nuk kishin qenë kurrë në një Sallë Mbretërie. Në Reilengen, pranë Heildelbergut, në mbledhje shkuan gjithsej 123 veta. Më pas, pesë veta që flitnin romisht, kërkuan një studim biblik.

Gjatë fushatës, Dëshmitarët e Jehovait shpërndanë thuajse 3.000 fletushka dhe broshura. Ata bënë biseda me mbi 360 sintë e romë dhe 19 filluan të studionin Biblën. Disa prej tyre thanë: «Sa mirë që Perëndia po e drejton vëmendjen nga ne!»

a Sintët përkufizohen si një minoritet që jetojnë në Evropën Perëndimore dhe Qendrore, kurse romët si një minoritet me origjinë nga Evropa Lindore dhe Juglindore.

b Sipas Encyclopædia Britannica Online, gjuhët rome përbëhen nga «60 ose më shumë dialekte tepër të ndryshme nga njëri-tjetri». Për thjeshtësi, në këtë artikull do të përdorim fjalën «romisht» për t’iu referuar gjuhës që flasin sintët dhe romët që jetojnë në Gjermani.