Kalo te përmbajtja

Si do të ndikonte një Sallë Mbretërie në lagjen tënde?

Si do të ndikonte një Sallë Mbretërie në lagjen tënde?

Për më se një shekull Dëshmitarët e Jehovait i kanë projektuar dhe i kanë ndërtuar vetë vendet e tyre të adhurimit. A po ndërtohet në zonën tënde ndonjë vend adhurimi, që quhet Sallë Mbretërie? Si mund të ndikojë për mirë në lagjen tënde një Sallë Mbretërie?

Floueri Brenç, Xhorxhia, SHBA

«Një dhuratë e këndshme për komunitetin»

Sallat e Mbretërisë janë projektuar për t’ia shtuar lezetin lagjes. Xhejsoni, që ndihmon me koordinimin e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë në Shtetet e Bashkuara, thotë: «Synojmë që çdo Sallë Mbretërie të jetë ndër ndërtesat më tërheqëse dhe dinjitoze në zonë.» Një arkitekt Dëshmitar, që punon me skuadrën e projektimit, shton: «Duam që në fund të jetë një dhuratë e këndshme për komunitetin dhe t’ua shtojë vlerën pronave përreth.»

Punëtorët që ndërtojnë Sallat e Mbretërisë, janë Dëshmitarë të Jehovait, të cilët interesohen thellësisht që ndërtesat të jenë të një cilësie të lartë. Puna e tyre mjeshtërore bie shpesh në sy të të tjerëve. Për shembull, kohët e fundit në Riçmond, Teksas, SHBA, u ndërtua një Sallë Mbretërie. Një inspektor ndërtimi vendës tha se çatia e saj ishte ndër më cilësoret që kishte parë ndonjëherë. Në ishullin e Xhamajkës, një inspektor ndërtimi shoqëroi një grup me inspektorë të rinj për të vizituar kantierin ku po ndërtohej një Sallë Mbretërie, dhe u tha: «S’ka pse të shqetësoheni kurrë për këta njerëz. Dëshmitarët e Jehovait i përmbahen me përpikëri projektit, madje bëjnë më shumë se ç’kërkojnë ligjet për ndërtimin.» Një inspektor ndërtimi në një qytet në Florida, SHBA, u shpreh: «Kam inspektuar spitale dhe projekte të mëdha qeveritare, mirëpo, asnjëra nuk kishte një organizim të tillë. Ju bëni një punë të shkëlqyer.»

Konseshën, Zimbabve

Ndikojnë për mirë në lagje

Mbledhjet në Sallën e Mbretërisë ndikojnë për mirë në jetën e atyre që marrin pjesë. Ato i kanë ndihmuar pjesëmarrësit të bëhen baballarë, nëna dhe fëmijë më të mirë. Rodi, që punon në një skuadër projektimi të Sallave të Mbretërisë, shpjegon: «Çdo Sallë Mbretërie është një qendër arsimimi që nxit norma të larta morale, në dobi të gjithë banorëve të lagjes.» Ai shton: «Këtu mund të gjesh ndihmë kur has vështirësi në jetë. Brenda është një atmosferë e ngrohtë dhe miqësore, mikpritëse dhe që i sjell dobi gjithkujt që ka nevojë për ngushëllim e që i pëlqen të mësojë më shumë për Perëndinë.»

Ata që mblidhen në Sallat e Mbretërisë merakosen për të tjerët dhe u vijnë shpejt në ndihmë në rast katastrofash. Për shembull, më 2016, pasi uragani Methju goditi ishujt Bahamas, Dëshmitarët e Jehovait riparuan 254 shtëpi. Në një lagje, skuadrës së Dëshmitarëve që po ndihmonte pas katastrofës, iu afrua një e moshuar 80 vjeçare me emrin Violeta, së cilës iu përmbyt shtëpia. Ajo u tha se do t’i paguante për çdo lloj ndihme që mund të jepnin. Dëshmitarët nuk pranuan asnjë pagesë, por i riparuan çatinë që të mos i pikonte më. Më pas fiksuan pllaka gipsi në tavanin e dhomën së ndenjjes dhe i suvatuan. Kur mbaruan, Violeta përqafoi secilin, i falënderoi disa herë dhe tha me gjithë zemër: «Ju jeni vërtet njerëz të Zotit!»

Baad Yjnhauzën, Renania dhe Vestfalia Veriore, Gjermani

‘Jemi të kënaqur që kjo Sallë Mbretërie është në komunitetin tonë’

Që t’i mbajnë në gjendje shumë të mirë Sallat e Mbretërisë, Dëshmitarët e Jehovait kanë organizuar një program që stërvit Dëshmitarët vendës për të mirëmbajtur sallat e tyre. Kjo ka sjellë rezultate të mira. Për shembull, në një komunitet të vogël në Arizonë, një grua pranoi ftesën për të ardhur në mbledhje në Sallën e Mbretërisë. Ajo komentoi se sa e mirëmbajtur ishte salla dhe i bëri shumë përshtypje kur dëgjoi për programin e mirëmbajtjes, pasi godina ishte tashmë në gjendje shumë të mirë. Gruaja shkruante për një botim periodik të qytetit dhe më vonë në të u përfshi një raport për këtë Sallë Mbretërie kaq të mirëmbajtur. Artikulli përfundonte me fjalët: «Jemi të kënaqur që kjo . . . Sallë Mbretërie është në komunitetin tonë.»

Sallat e Mbretërisë mund t’i gjesh anembanë botës. Të ftojmë përzemërsisht t’i vizitosh. Ji i sigurt se do të të mirëpresim ngrohtësisht.