Kalo te përmbajtja

Terminologjia e Dëshmitarëve të Jehovait

Terminologjia e Dëshmitarëve të Jehovait

Faleminderit që shfaqni interes për të raportuar rreth veprimtarive të Dëshmitarëve të Jehovait. Ky fjalorth është përgatitur enkas që t’ju ndihmojë për drejtshkrimin dhe për kuptimin e terminologjisë që përdor organizata jonë fetare. Nëse keni pyetje për ndonjë temë që nuk është trajtuar në këtë fjalorth, ju lutemi kontaktoni me zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait.

asamble. Shih zërin:  asamble qarkore.

 asamble qarkore. Një mbledhje njëditore që mbahet dy herë në vit në të cilën mblidhen disa kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait. Asambletë qarkore janë të hapura për publikun dhe janë përgatitur për t’i ndihmuar njerëzit që të njohin më shumë Perëndinë. Programi përmban sugjerime që i ndihmojnë të pranishmit e çdo moshe të nxjerrin dobi nga këshillat e Biblës. Demonstrohen dhe vihen në skenë situata të jetës së përditshme që tregojnë si zbatohen mësimet e Biblës. Shpesh mbahen në Sallat e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait. Mund të mbahen edhe në ambiente të marra me qira ose mund të ndiqen edhe online. Zakonisht, asambletë programohen në fundjavë. Të gjitha sesionet mund të ndiqen pa asnjë pagesë dhe nuk mblidhen para.

Bethel, bethelit, familja Bethel. «Bethel» është një term hebraik që do të thotë «shtëpi e Perëndisë». Kështu u referohemi godinave që përdorim ne si Dëshmitarë të Jehovait për të drejtuar dhe për të mbështetur aktivitetet fetare të bazuara në Bibël në çdo shtet ose rajon. Dëshmitarët që shërbejnë në këto komplekse i përkasin një urdhri fetar dhe quhen «bethelitë». Ata nuk marrin rrogë. Si grup njihen si «familja Bethel» sepse, ashtu si një familje, ata jetojnë, adhurojnë Perëndinë dhe punojnë së bashku në këto godina. Termi «bethelit» nuk përdoret si titull nderi.

 Dëshmitarët e Jehovait. Një grup fetar i krishterë, besimtarët e të cilit adhurojnë Perëndinë Jehova dhe promovojnë aktivisht arsimimin nga Bibla përmes formave të ndryshme të predikimit. Synimi i veprës së tyre të arsimimit nga Bibla është të shpallin lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, ose për qeverinë e Tij. (Mateu 24:14) Ky emër i dallon ata nga fetë e tjera dhe, përveçse tregon se kë përfaqësojnë, flet edhe për veprën fetare që bëjnë vullnetarisht në emër të Perëndisë. Një person konsiderohet Dëshmitar i Jehovait vetëm kur i kupton në një masë të arsyeshme mësimet bazë të Biblës, kur kualifikohet për të marrë pjesë në shërbimin publik me pjesëtarët e tjerë të një kongregacioni të Dëshmitarëve të Jehovait dhe kur pagëzohet në simbol të kushtimit të tij ndaj Perëndisë Jehova. Kur përmenden për herë të parë në një artikull, emri i tyre zyrtar duhet të shkruhet i plotë, «Dëshmitarët e Jehovait». Një alternativë e pranueshme është edhe termi «Dëshmitarët». Kur i referohet një individi, përdorni termin «Dëshmitar» ose «një Dëshmitar i Jehovait».—Isaia 43:10.

Galad, Shkolla e Galadit. Formë e shkurtuar që përdoret për Shkollën Watchtower të Galadit, që u themelua në vitin 1943, fillimisht për të stërvitur misionarë. Aktualisht, ky kurs pesëmujor i specializuar për studimin e Biblës stërvit Dëshmitarët e Jehovait që ftohen për ta ndjekur këtë shkollë. Kur përdoret më vete, fjala «shkollë» shkruhet me shkronja të vogla.

Jehova. Emri i Perëndisë dhe i Krijuesit të Plotfuqishëm, siç tregohet në Shkrime. (Psalmi 83:18) «Jehova» nuk përdoret si term zëvendësues (p.sh. «një Jehova») kur i referohet një Dëshmitari të Jehovait.

Jezu Krishti. Biri i vetëmlindur i Perëndisë. (Gjoni 3:16) Dëshmitarët e Jehovait e konsiderojnë Jezu Krishtin Udhëheqësin e tyre dhe përpiqen fort të imitojnë shembullin e tij dhe të zbatojnë mësimet e tij. Për Dëshmitarët, Jezui është njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, Dëshmitari më i rëndësishëm i Jehovait dhe figura qendrore nëpërmjet të cilit Perëndia Jehova do t’u sjellë shpëtimin njerëzve.—Isaia 9:6, 7; Zbulesa 1:5.

Komitet Dege. Sa herë që hapet një zyrë dege, emërohet edhe një Komitet Dege me tre ose më shumë pleq kongregacioni për të mbikëqyrur aktivitetet në shtetin ose në shtetet të cilat janë nën juridiksionin e kësaj dege.

kongregacion. Një grup i organizuar Dëshmitarësh që mblidhen rregullisht bashkë për të adhuruar Perëndinë. Një grup pleqsh ka përgjegjësinë për të drejtuar programe të ndryshme me udhëzime dhe për të siguruar drejtim nga Bibla për kongregacionin si grup ose për individët që bëjnë pjesë në të. Mbledhjet e kongregacionit janë të hapura për publikun. Mund të ndiqen pa asnjë pagesë dhe nuk mblidhen para.

kongres. Shih zërat:  kongres ndërkombëtar dhe  kongres rajonal.

 kongres ndërkombëtar. Një mbledhje treditore për të adhuruar Perëndinë dhe për të marrë udhëzime nga Bibla, e cila organizohet nga Dëshmitarët e Jehovait dhe mbahet një herë në disa vjet në qytete të përcaktuara më parë anekënd botës. Dëshmitarë nga shtete të ndryshme ftohen të marrin pjesë si delegatë. Kongreset janë të hapura për publikun dhe kanë për qëllim të forcojnë besimin dhe unitetin e Dëshmitarëve të Jehovait përreth botës. Zakonisht, kongreset ndërkombëtare mbahen në ambiente me qira dhe programohen nga e premtja në të diel. Këto evente mund të ndiqen pa asnjë pagesë dhe nuk mblidhen para.

 kongres rajonal. Një mbledhje e përvitshme treditore ku mblidhen bashkë shumë kongregacione të një zone të caktuar, që ka si qëllim t’u japë zemër nga Shkrimet të pranishmëve. Ky event është i hapur për publikun. Gjatë programit paraqiten sugjerime që i ndihmojnë të pranishmit e të gjitha moshave të nxjerrin dobi nga këshillat e Biblës. Demonstrohen dhe vihen në skenë situata të jetës së përditshme që tregojnë si zbatohen mësimet e Biblës. Shpesh kongreset mbahen në ambiente të mëdha të marra me qira, të tilla, si arena, stadiume dhe qendra kongresesh. Kongrese rajonale më të vogla mund të mbahen edhe nëpër Sallat e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në një zonë aty pranë. Zakonisht, kongreset me pjesëmarrje fizike programohen nga e premtja në të diel. Vitet e fundit, regjistrime të programit janë vënë në dispozicion edhe online. Si të gjitha mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, ato mund të ndiqen pa asnjë pagesë dhe nuk mblidhen para.

Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait. Titulli i plotë i revistës kryesore që botojnë dhe shpërndajnë Dëshmitarët e Jehovait. Quhet edhe Kulla e Rojës. Emri buron nga qëllimi që ka kjo revistë, pra t’i ndihmojë lexuesit të jenë syçelë e të kuptojnë si po plotësohen qëllimet e Perëndisë. (Mateu 24:42) Botimi për publikun i Kullës së Rojës u ofrohet falas personave të interesuar. Botimi për studim i Kullës së Rojës përdoret për diskutime me pyetje-përgjigje çdo javë nëpër kongregacionet anekënd botës. Kulla e Rojës është botuar pa ndërprerje që nga viti 1879. Ajo është një ndër revistat me tirazhin më të lartë në botë.

lajmëtar. Një person që merr pjesë në shërbim bashkë me një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Që të kualifikohet si lajmëtar, ai duhet të kuptojë dhe të besojë mësimet bazë të Biblës, si edhe të jetojë në përputhje me parimet e Perëndisë. Lajmëtarët nuk paguhen për shërbimin që kryejnë dhe nuk janë të punësuar nga kongregacioni ku shërbejnë a nga ndonjë korporatë tjetër që lidhet me Dëshmitarët e Jehovait. Ky term nuk përdoret si titull nderi.

mbikëqyrës qarkor. Një plak me përvojë që shërben nën drejtimin e zyrës së degës i cili (bashkë me gruan, nëse është i martuar) viziton rregullisht çdo kongregacion brenda qarkut të tij, zakonisht 2 herë në vit. Përveçse u jep zemër pjesëtarëve të çdo kongregacioni që viziton, ai inkurajon dhe u ofron drejtim pleqve dhe shërbëtorëve të kongregacionit. Mbikëqyrësit qarkorë përgatitin një program specifik me udhëzime për çdo kongregacion. Ky term nuk përdoret si titull nderi.

mbledhje e mesjavës. Një mbledhje kongregacioni e përjavshme që zakonisht mbahet në një mbrëmje gjatë javës. Programi që quhet Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë përbëhet nga tri pjesë dhe ka si qëllim të ndihmojë Dëshmitarët ta kryejnë në mënyrë më të efektshme shërbimin e tyre ndaj Perëndisë. Si të gjitha mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, edhe këtë mbledhje njerëzit mund ta ndjekin fizikisht ose virtualisht pa asnjë pagesë. Veç kësaj nuk mblidhen para.

Mbledhje Publike. Një mbledhje javore kongregacioni që zakonisht mbahet në fundjavë, gjatë së cilës prezantohet një fjalim prej 30 minutash i bazuar në Bibël, i përgatitur enkas për publikun e gjerë. Zakonisht, pas fjalimit mbahet Studimi i Kullës së Rojës, një diskutim me pyetje-përgjigje rreth një teme nga Bibla, duke përdorur një artikull nga botimi për studim i Kullës së Rojës. Si të gjitha mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, edhe këtë mbledhje njerëzit mund ta ndjekin fizikisht ose virtualisht pa asnjë pagesë. Veç kësaj nuk mblidhen para.

misionar. Një Dëshmitar i pagëzuar që caktohet nga Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait në vende të ndryshme përreth botës. Misionarët janë të gatshëm të lënë shtëpitë e tyre dhe mbase të transferohen në një vend të huaj për të përhapur lajmin e mirë për Mbretërinë.—Mateu 24:14.

motër. Një vajzë ose grua e pagëzuar si Dëshmitare e Jehovait. Ky term shkruhet me shkronja të vogla dhe nuk përdoret si titull nderi.

Përkujtimi i vdekjes së Krishtit. Rast i përvitshëm që quhet edhe Darka e Zotërisë, Darka e Fundit, Përkujtimi ose Përkujtimi i vdekjes së Jezuit, ku përkujtojmë vdekjen e Jezu Krishtit. Për Dëshmitarët e Jehovait, ky është eventi më i rëndësishëm i vitit dhe e vetmja ceremoni fetare për të cilën Krishti i urdhëroi në mënyrë specifike dishepujt që ta kremtonin.—Luka 22:19, 20.

pionier. Përdoret për ata Dëshmitarë të pagëzuar që përpiqen të kalojnë një sasi të caktuar orësh në veprën e predikimit. Më së shumti përdoret si shkurtim i shprehjes «pionier i rregullt», një lajmëtar që kalon në shërbim 600 orë në vit (50 orë në muaj). Ndonjëherë përdoret si shkurtim i shprehjes «pionier ndihmës», një lajmëtar që kalon në shërbim 15 ose 30 orë në një muaj ose në disa muaj rresht. Pionierët nuk paguhen për format e ndryshme të shërbimit ku marrin pjesë dhe nuk janë të punësuar nga kongregacioni ku shërbejnë a nga ndonjë korporatë tjetër që lidhet me Dëshmitarët e Jehovait. Shumë prej tyre bëjnë punë shekullare për të mbajtur veten. Termi nuk përdoret si titull nderi.

plak. Një burrë Dëshmitar me besim të fortë i caktuar për të mësuar besimtarët dhe për t’u kujdesur që ata të kenë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Një plak duhet të vazhdojë të plotësojë kualifikimet nga Bibla që gjenden te 1 Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9; Jakovi 3:17, 18 dhe 1 Pjetrit 5:2. Pleqtë nuk janë shërbëtorë fetarë që paguhen dhe as të punësuar nga kongregacioni ku shërbejnë a nga ndonjë korporatë tjetër që lidhet me Dëshmitarët e Jehovait. Shumë prej tyre bëjnë punë shekullare për të mbajtur veten dhe familjen. Dëshmitarët nuk kanë një klasë kleri dhe as rangje brenda kongregacionit. Ky term nuk përdoret si titull ose si term nderues.

predikim. Shih zërin:  shërbim.

qark. Një grup kongregacionesh të Dëshmitarëve të Jehovait në një zonë specifike.

Sallë Asamblesh e Dëshmitarëve të Jehovait. Një vend i madh adhurimi, nën pronësinë e Dëshmitarëve të Jehovait, që përdoret për mbledhje periodike ku marrin pjesë disa kongregacione të një zone të caktuar. Mund të quhet edhe «Salla e Asambleve».

Sallë Mbretërie e Dëshmitarëve të Jehovait. Një vend adhurimi që përdoret nga një ose më shumë kongregacione. Shpesh quhet «Salla e Mbretërisë». Ju lutemi, mos përdorni termin «kishë».

shërbëtor kongregacioni. Një burrë Dëshmitar me besim të fortë që caktohet të mbështetë pleqtë në mënyra të ndryshme brenda kongregacionit. Një shërbëtor kongregacioni duhet të plotësojë kualifikimet nga Bibla që gjenden te 1 Timoteut 3:8-10, 12, 13 dhe te Titit 2: 6-8. Shërbëtorët e kongregacionit kujdesen për çështje të rëndësishme organizative dhe për detyra të tjera praktike brenda kongregacionit. Ata nuk paguhen për shërbimet që kryejnë dhe nuk janë të punësuar nga kongregacioni ku shërbejnë a nga ndonjë korporatë tjetër që lidhet me Dëshmitarët e Jehovait. Shumë prej tyre bëjnë punë shekullare për të mbajtur veten dhe familjen. Me kohë, disa shërbëtorë kongregacioni mund të kualifikohen për të shërbyer si pleq. Ky term nuk përdoret si titull nderi.

 shërbim. Format e ndryshme të predikimit që kryejnë Dëshmitarët e Jehovait duke zbatuar urdhrin e Jezuit për t’u predikuar ‘lajmin e mirë për Mbretërinë’ njerëzve «në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet».—Mateu 24:14; 28:19.

Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Titulli i plotë i Shkrimeve Hebraike («Dhiata e Vjetër») dhe i Shkrimeve Greke («Dhiata e Re») i përkthyer dhe i botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Mund të quhet edhe Përkthimi Bota e Re.

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait. Një grup i vogël pleqsh që janë caktuar të kujdesen e të ndihmojnë Dëshmitarët e Jehovait anekënd botës të kenë një besim të fortë. Shpesh përdoret forma e shkurtuar «Trupi Udhëheqës». Ata përfshihen drejtpërdrejt në përgatitjen e botimeve të bazuara në Bibël. Edhe pse Trupi Udhëheqës merr drejtimin për të organizuar aktivitetet e Dëshmitarëve në tërë botën, ata konsiderojnë Jezu Krishtin si të vetmin Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Zyrat e Trupit Udhëheqës ndodhen në Selinë Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Uoruik, Nju-Jork, SHBA.

vëlla. Një djalë ose një burrë i pagëzuar si Dëshmitar i Jehovait. Ky term shkruhet me shkronja të vogla dhe nuk përdoret si titull nderi.

vëllazëria. Organizata mbarëbotërore e Dëshmitarëve të Jehovait (përfshin si burrat, edhe gratë). Gjithashtu përdorim edhe termin «vëllezërit».—1 Pjetrit 5:9, shënimi.

Zgjohuni! Një revistë që e botojnë dhe e shpërndajnë Dëshmitarët e Jehovait. U botua për herë të parë në vitin 1919 me titullin Epoka e artë. Pastaj më 1937 titulli i saj u ndryshua dhe u bë Ngushëllim. Duke nisur nga 22 gushti 1946, kjo revistë mori titullin Zgjohuni! Ky titull u zgjodh për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë domethënien e ngjarjeve që ndodhin sot në botë. Ajo është një ndër revistat me tirazhin më të lartë në botë.

zyrë dege. Qendra administrative lokale e një Komiteti Dege që përdoret për të mbështetur dhe për të mbikëqyrur aktivitetet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në një ose më shumë shtete. Ndonjëherë përdoret termi i shkurtuar «degë».

SHËNIM: Kur të raportoni për Dëshmitarët e Jehovait, ju lutemi, përdorni emrin e plotë herën e parë që i përmendni. Për më shumë informacion, shihni zërin:  Dëshmitarët e Jehovait.