Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndryshimet e klimës dhe e ardhmja jonë—Çfarë thotë Bibla

Ndryshimet e klimës dhe e ardhmja jonë—Çfarë thotë Bibla

 «Ndryshimi i klimës është shndërruar në katastrofë. Ndërkohë Toka po bëhet e pabanueshme.»—The Guardian.

 Njerëzimi po përballet me katastrofa që po i shkakton vetë. Shumica e shkencëtarëve bien dakord se vetë njerëzit janë përgjegjës për ngrohjen globale. Rritja e temperaturës ka ndikuar te ndryshimi i klimës dhe ka sjellë pasoja katastrofike, ndër të cilat:

  •   Ndryshime më të shpeshta e më intensive të motit, si valë të nxehti, thatësira dhe stuhi, të cilat shkaktojnë më shumë përmbytje dhe zjarre masive.

  •   Shkrirje të akullnajave dhe të akullit në Arktik.

  •   Rritje të nivelit të deteve.

 Kriza klimatike ka prekur çdo cep të tokës. Pasi përshkroi kushtet në 193 vende, New York Times thoshte: «Planeti po dërgon sinjalin SOS.» Ndryshimet e klimës shkaktojnë shumë vdekje e vuajtje, prandaj Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka quajtur «kërcënimin e vetëm më të madh të shëndetit për njerëzimin».

 Gjithsesi kemi arsye që ta shohim me shpresë të ardhmen. Bibla i kishte parathënë ngjarjet që po i shohim sot. Tregon edhe arsyen pse mund të presim që Zoti të veprojë dhe çfarë do të bëjë ai që e ardhmja jonë të jetë e sigurt.

A po përmbush profecitë e Biblës ndryshimi i klimës?

 Po. Kriza e klimës që është shkaktuar nga ngrohja globale, përputhet fiks me ngjarjet që paratha Bibla për kohën tonë.

 Profecia: Zoti ‘do t’i shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’.—Zbulesa 11:18.

 Bibla paratha një kohë kur veprimet e njeriut do ta çonin tokën buzë rrënimit. Si pasojë e ngrohjes globale, njerëzit sot po e shkatërrojnë planetin si kurrë ndonjëherë.

 Kjo profeci tregon një arsye pse nuk mund të presim që njerëzit ta shpëtojnë tokën. Vër re se Perëndia do të ndërhynte ndërkohë që njerëzit ‘po e shkatërronin tokën’. Disa njerëz me synime të mira po veprojnë për të luftuar ndryshimet e klimës, prapëseprapë këto përpjekje nuk do të mjaftojnë për ta mbrojtur tokën nga rrënimi.

 Profecia: «Do të ketë fenomene të frikshme.»—Luka 21:11.

 Bibla paratha se këto «fenomene të frikshme», ose ngjarje të tmerrshme, do të ndodhnin në ditët tona. Ndryshimi i klimës ka sjellë situata të frikshme të motit anekënd globit. Disa po vuajnë nga ankthi mjedisor—një lloj frike kronike se nuk do t’i mbijetojnë rrënimit të mjedisit.

 Profecia: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, lakmues parash, . . . të pabesë, . . . nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, . . . tradhtarë, kokëkrisur.»—2 Timoteut 3:1-4.

 Bibla paratha cilat cilësi dhe sjellje njerëzore do të shkaktonin këtë krizë klimatike. Për qeveritë dhe bizneset, meraku kryesor janë interesat ekonomike dhe jo interesat e brezave të ardhshëm. Edhe kur përpiqen të bashkëpunojnë, nuk bien dakord për hapat e domosdoshëm për të ndaluar ngrohjen globale.

 Kjo profeci tregon se nuk duhet të presim që njerëzit në përgjithësi të ndryshojnë sjelljen dhe të mbrojnë tokën. Përkundrazi, Bibla thotë se ata që shfaqin tipare egoiste, «do të shkojnë keq e më keq».—2 Timoteut 3:13.

Pse mund të jemi të sigurt se Perëndia do të veprojë

 Bibla shpjegon se Perëndia Jehova a, Krijuesi ynë, ka shumë merak për planetin tonë dhe për njerëzit. Shqyrto vetëm tri vargje nga Bibla që tregojnë se Ai nuk do të rrijë duarkryq.

  1.  1. Perëndia «nuk e krijoi [tokën] pa një qëllim, por e formoi që të banohej».—Isaia 45:18.

     Perëndia do ta plotësojë qëllimin e tij për tokën. (Isaia 55:11) Ai nuk do të lejojë që ajo të shkatërrohet ose të bëhet e pabanueshme.

  2.  2. «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do t’u kënaqet shpirti me paqen e pafund. . . . Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:11, 29.

     Perëndia premton se njerëzit do të jetojnë përgjithmonë në tokë, në kushte paqësore.

  3.  3. «Kurse të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.»—Proverbat 2:22.

     Perëndia premton të shfarosë ata që vazhdojnë të bëjnë të këqija, mes tyre edhe njerëzit që shkatërrojnë tokën.

Çfarë do të bëjë Perëndia për të ardhmen tonë

 Si do t’i përmbushë ai premtimet për tokën? Nëpërmjet një qeverie mbarëbotërore të njohur si Mbretëria e Perëndisë. (Mateu 6:10) Kjo Mbretëri do të qeverisë nga qielli. Ajo s’ka përse të negociojë me qeveritë njerëzore për çështje që përfshijnë tokën dhe mjedisin. Përkundrazi do t’i zëvendësojë njëherë e mirë ato.—Danieli 2:44.

 Mbretëria e Perëndisë është lajm i mirë për gjithë njerëzimin dhe për natyrën. (Psalmi 96:10-13) Shqyrto çfarë do të bëjë Perëndia Jehova nëpërmjet Mbretërisë së tij.

  •   Do të ripërtërijë mjedisin

     Çfarë thotë Bibla: «Shkretëtira dhe vendet e thata do të ngazëllojnë. Rrafshina e shkretë do të gëzojë dhe do të lulëzojë si shafrani.»—Isaia 35:1.

     Çfarë nënkupton kjo për të ardhmen tonë: Jehovai do ta shërojë planetin, madje edhe vendet të cilat njerëzit i kanë dëmtuar rëndë.

  •   Do të ushtrojë kontroll mbi motin ekstrem

     Çfarë thotë Bibla: «[Jehovai] stuhinë e shndërron në puhizë, e dallgët fashiten dalëngadalë.»—Psalmi 107:29.

     Çfarë nënkupton kjo për të ardhmen tonë: Jehovai ka fuqinë për të kontrolluar elementet e natyrës, prandaj njerëzit nuk do të vuajnë më nga moti ekstrem.

  •   Do t’i mësojë njerëzit të kujdesen siç duhet për tokën

     Çfarë thotë Bibla: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën e duhur.»—Psalmi 32:8.

     Çfarë nënkupton kjo për të ardhmen tonë: Jehovai u caktoi njerëzve përgjegjësinë që të kujdeseshin për tokën. (Zanafilla 1:28; 2:15) Ai do të na mësojë si ta përmbushim sa më mirë këtë përgjegjësi, duke jetuar në harmoni me natyrën.

a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»