Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PORTRETE NGA E KALUARA

Desiderius Erasmusi

Desiderius Erasmusi

NË DITËT e tij Desiderius Erasmusi (rr. 1469-1536) në fillim admirohej si studiuesi më i shkëlqyer në Evropë, por më vonë e diskredituan si burracak ose si heretik. I përfshirë pa vullnetin e tij në vorbullën e debateve fetare, guxoi të demaskonte fajet dhe abuzimet që ekzistonin ndër katolikët, si edhe ndër ata që donin të bëheshin reformatorë. Sot njihet si figurë kyçe në transformimin e skenës fetare të Evropës. Pse?

STUDIME DHE BINDJE

Ngaqë zotëronte shumë mirë greqishten dhe latinishten, Erasmusi krahasoi përkthimet e Biblës në latinisht, si Vulgatën latine, me dorëshkrimet e hershme të Shkrimeve të Krishtere Greke, që njihen gjerësisht si Dhiata e Re. Ai u bind se njohuria nga Bibla kishte rëndësi jetësore. Ja pse ngulmonte se Shkrimet e Shenjta duheshin përkthyer në gjuhë të tjera që fliteshin në ato kohë.

Erasmusi ishte për reformimin nga brenda të Kishës Katolike, ngaqë besonte se krishterimi duhej të ishte një mënyrë jetese, jo vetëm mbajtje e riteve të pakuptimta. Si rezultat, kur reformatorët filluan të protestonin dhe të kërkonin ndryshime brenda Kishës së Romës, katolikët nisën të dyshonin tek ai.

Erasmusi guxoi të demaskonte fajet dhe abuzimet e katolikëve dhe të reformatorëve

Në shkrimet e tij, Erasmusi demaskonte me anë të satirës abuzimet e klerit, jetesën e tyre pompoze dhe ambicien e papëve që përkrahnin luftërat. Nuk ishte dakord me faktin që kleri i korruptuar përfitonte nga besimtarët duke përdorur zakonet kishtare, si rrëfimin e mëkateve, adhurimin e shenjtorëve, agjërimin dhe pelegrinazhet. Nuk ishte dakord me disa tradita të kishës, si shitja e indulgjencave dhe beqaria e detyruar.

TEKSTI NË GREQISHT I DHIATËS SË RE

Në vitin 1516 Erasmusi nxori botimin e parë të Dhiatës së Re në greqisht, që ishte versioni i parë i shtypur i Shkrimeve të Krishtere Greke deri atëherë. Aty përfshiu shënime, si edhe përkthimin e tij të Shkrimeve të Krishtere Greke në latinisht, që ndryshonte nga Vulgata. Për ca kohë vazhdoi të rishikonte përkthimin e tij dhe versioni përfundimtar kishte ndryshime edhe më të mëdha nga teksti në Vulgatën latine.

Dhiata e Re në greqisht e Erasmusit

Një nga ndryshimet ishte te 1 Gjonit 5:7. Për të mbështetur mësimin jobiblik të Trinitetit, në Vulgatë ishin shtuar disa fjalë të rreme të njohura si comma Johanneum: «Në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një.» Megjithatë, Erasmusi e hoqi këtë pjesë në dy botimet e tij të para të Dhiatës së Re, sepse nuk gjendej tek asnjëra nga dorëshkrimet greke që krahasoi. Më vonë kisha i bëri presion që ta përfshinte në botimin e tretë.

Botimet e tij të përmirësuara të Dhiatës së Re në greqisht siguruan bazën për përkthime më të mira në gjuhët evropiane. Martin Luteri, Uilliam Tindali, Antonio Bruçoli dhe Fransisko de Enthinasi i përdorën për përkthimin e Shkrimeve Greke përkatësisht në gjermanisht, në anglisht, në italisht dhe në spanjisht.

Erasmusi jetoi në një periudhë historike trazirash fetare, dhe Dhiata e Re në greqisht që botoi, konsiderohej një ndihmë e çmuar nga reformatorët protestantë. Madje disa e konsideruan si reformator, derisa Reforma filloi vërtet. Pastaj nuk pranoi të mbante anën e askujt në debatet e mëdha teologjike që pasuan. Është interesante që mbi 100 vjet më parë, studiuesi Dejvid Shaf shkroi se Erasmusi «vdiq i pavarur, pa përkatësi fetare. Katolikët nuk thoshin se ai ishte katolik, as protestantët nuk mund të thoshin se ishte protestant».