Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PIKËPAMJA E BIBLËS

Mirënjohja

Mirënjohja

Mirënjohja sjell kaq shumë dobi të vërtetuara nga koha​—fizike, mendore dhe emocionale—​saqë gjithsecili duhet ta bëjë pjesë të jetës së përditshme.

Si i kontribuon mirënjohja mirëqenies sate?

ÇFARË THOTË MJEKËSIA:

Sipas një artikulli të Harvard Mental Health Letter, «mirënjohja sjell gjithmonë shumë lumturi. Mirënjohja i ndihmon njerëzit të ndihen më mirë, të përjetojnë ndjenja të bukura, të përmirësojnë shëndetin, të përballojnë vështirësitë dhe të lidhin marrëdhënie të forta».

ÇFARË THOTË BIBLA:

Bibla na nxit të zhvillojmë një qëndrim mirënjohës. Apostulli Pavël, i cili edhe vetë la një shembull të shkëlqyer në këtë aspekt, shkroi: «Tregohuni mirënjohës.» Për shembull, ai ‘e falënderoi Perëndinë pa pushim’ që të tjerët e pritën mirë mesazhin e tij. (Kolosianëve 3:15; 1 Selanikasve 2:13) Lumturia e qëndrueshme nuk vjen vetëm kur me raste themi faleminderit, por kur kemi një qëndrim mirënjohës. Ky qëndrim na mbron nga të qenët pretendues, ziliqarë e nga mëria, cilësi që do të na largonin nga njerëzit e do të na privonin nga një jetë e gëzueshme.

Vetë Krijuesi ka lënë një shembull të shkëlqyer në shfaqjen e mirënjohjes​—madje edhe ndaj ne njerëzve, qenieve të ulëta. Hebrenjve 6:10 pohon: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.» Po, Krijuesi ynë e konsideron padrejtësi të mos tregojë mirënjohje.

«Gëzoni gjithmonë. Falënderoni për çdo gjë.»​1 Selanikasve 5:16, 18.

Si na i përmirëson mirënjohja marrëdhëniet me të tjerët?

ÇFARË KA TREGUAR PËRVOJA:

Kur i shprehim dikujt mirënjohje të sinqertë, qoftë për një dhuratë, një fjalë të dashur ose ndihmë praktike, e bëjmë të ndihet i çmuar dhe i vlerësuar. Edhe të panjohurit u përgjigjen me ngrohtësi njerëzve që i falënderojnë sinqerisht për një veprim të sjellshëm, si hapja e derës.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Jezui u shpreh: «Bëjeni zakon të jepni, dhe do t’ju japin. Do t’ju derdhin në prehër një masë të shkëlqyer, të ngjeshur, të tundur dhe që derdhet nga buzët.» (Luka 6:38) Shqyrtoni çfarë i ndodhi Rozës, një vajze që nuk dëgjon, në shtetin ishullor të Vanuatus, Paqësori Jugor.

Roza ndoqi mbledhjet e krishtere të Dëshmitarëve të Jehovait, por nuk nxori shumë dobi ngaqë as ajo dhe as ndonjë tjetër në kongregacion nuk e dinin gjuhën e shenjave. Kur një çift që ishin interpretues të zotë të gjuhës së shenjave vizituan kongregacionin dhe vunë re problemin, filluan një kurs për t’u mësuar gjuhën e shenjave. Roza ishte thellësisht mirënjohëse. Ajo tha: «Jam e lumtur që kam kaq shumë miq që më duan.» Nuk ka shpërblim më të madh për çiftin që ndihmoi Rozën se kur e shohin tek ndjek mbledhjet dhe është mirënjohëse. Gjithashtu, Roza çmon thellësisht përpjekjet e të tjerëve për të mësuar gjuhën e shenjave që të komunikonin me të.​—Veprat 20:35.

‘Kushdo që jep falënderime si flijim, i jep lavdi Perëndisë.’​—Psalmi 50:23.

Si mund ta zhvillosh qëndrimin mirënjohës?

ÇFARË THOTË BIBLA:

Ndjenjat tona lidhen ngushtë me mendimet. Davidi, një shkrimtar i Biblës, i tha Perëndisë: «Meditoj për gjithçka që ke bërë. Plot ëndje mbaj në mend veprën e duarve të tua.» (Psalmi 143:5) Po, Davidi mendonte thellë dhe specifikisht për çfarë kishte bërë Zoti për të. Qëndrimi i tij mirënjohës buronte nga meditimi i vazhdueshëm për udhët e Perëndisë, një zakon që e zhvilloi gjithë jetën.​—Psalmi 71:5, 17.

Bibla na jep këtë këshillë të shkëlqyer: ‘Vazhdoni të mendoni për çdo gjë të vërtetë, çdo gjë të dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çfarëdo virtyti dhe çfarëdo gjëje të denjë për t’u lëvduar.’ (Filipianëve 4:8) Fjalët «vazhdoni të mendoni» theksojnë edhe njëherë sa e nevojshme është të meditojmë vazhdimisht, pasi kjo na ndihmon të kemi një qëndrim mirënjohës.

«Zemra ime do të meditojë për gjëra me kuptim.»​Psalmi 49:3.