Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 2

Si të jetë i përulur

Si të jetë i përulur

ÇFARË ËSHTË PËRULËSIA

Njerëzit e përulur tregojnë respekt për të tjerët. Nuk janë arrogantë e as presin që t’i trajtojnë si më të rëndësishëm. Përkundrazi, interesohen sinqerisht për të tjerët dhe janë të gatshëm të mësojnë prej tyre.

Ndonjëherë përulësia shihet si dobësi. Por, në të vërtetë është një pikë e fortë që na ndihmon të pranojmë të metat dhe të njohim kufizimet.

PSE ËSHTË E RËNDËSISHME

  • Përulësia përmirëson marrëdhëniet mes njerëzve. Libri Epidemia e narcizizmit (anglisht) thotë: «Në përgjithësi, njerëzit e përulur zënë miq më kollaj. . . . Janë më të komunikueshëm dhe më të shoqërueshëm.»

  • Përulësia përmirëson të ardhmen e fëmijës. Përulësia do ta ndihmojë fëmijën tani dhe në të ardhmen, për shembull, kur të kërkojë punë. Dr. Leonard Saksi shkroi: «Një i ri që mbivlerëson veten dhe nuk kupton pikat e tij të dobëta, vështirë se do të ketë sukses në një intervistë pune. Mirëpo, një të riu që i intereson vërtet mendimi i intervistuesit, ka më shumë të ngjarë ta fitojë vendin e punës.» *

SI T’I MËSOSH PËRULËSINË

Mësoje fëmijën të ketë pikëpamje të ekuilibruar për veten

PARIM NGA BIBLA: «Nëse dikush mendon se është diçka, kur s’është asgjë, mashtron veten.»​—Galatasve 6:3.

  • Mos i ushqe ide jorealiste. Shprehje, si «të gjitha ëndrrat e tua do të bëhen realitet» dhe «ti mund të arrish gjithçka në jetë» mund të tingëllojnë motivuese, por, zakonisht nuk realizohen. Fëmijët e tu do të jenë më të suksesshëm nëse kanë synime të arsyeshme dhe nëse punojnë pa u lodhur që t’i arrijnë.

  • Lavdëroje për veprime specifike. T’i thuash fëmijës thjesht «je më i miri në botë», nuk po e ndihmon të jetë i përulur. Lavdëroje për gjëra specifike.

  • Kufizoja përdorimin e mediave sociale. Shpesh media sociale përdoret për të reklamuar veten, pra për të trumbetuar talentet dhe arritjet personale, dhe kjo është pikërisht e kundërta e përulësisë.

  • Mësoje të kërkojë falje shpejt. Ndihmoje fëmijën ta kuptojë dhe ta pranojë gabimin.

Mësoje të jetë mirënjohës

PARIM NGA BIBLA: «Tregohuni mirënjohës.»​—Kolosianëve 3:15.

  • Mirënjohje për krijimin. Fëmijët duhet ta çmojnë natyrën dhe të kuptojnë se jeta jonë varet prej saj. Që të jetojmë, kemi nevojë për ajër, ujë dhe ushqim. Pse të mos përdorësh këta shembuj që t’u ngulitësh vlerësim, admirim dhe mirënjohje për mrekullitë e krijimit.

  • Mirënjohje për njerëzit. Mësoji fëmijës se çdokush është më i mirë se ai në një fushë a në një tjetër. Dhe, në vend që të bëhet xheloz për aftësitë ose talentet e të tjerëve, ndihmoje t’i çmojë dhe të mësojë prej tyre.

  • Ta shprehë mirënjohjen. Mësoje fëmijën të thotë «faleminderit» jo vetëm me fjalë, por me gjithë shpirt. Mirënjohja konsiderohet element kyç për përulësinë.

Mësoji fëmijës se është gjë e mirë t’u shërbejë të tjerëve

PARIM NGA BIBLA: «Me përulësi mendjeje, duke i parë të tjerët si më të lartë se veten, duke parë me interes jo vetëm çështjet tuaja, por edhe ato të të tjerëve.»​—Filipianëve 2:3, 4.

  • Caktoji punë shtëpie. Po të mos i japësh punë shtëpie, mund t’i përcjellësh mesazhin: ‘S’janë punë për ty këto.’ Punët e shtëpisë duhet të vijnë para lojërave. Tregoji fëmijës sa dobi nxjerr familja kur ai jep një dorë me punët e shtëpisë, dhe se kështu do ta respektojnë e do ta vlerësojnë.

  • Theksoji se është privilegj t’u shërbesh të tjerëve. Kur u shërben të tjerëve, bëhesh më i pjekur. Prandaj ndihmoje fëmijën të kuptojë se kush ka nevojë për ndihmë. Pastaj, flitni se çfarë mund të bëjë konkretisht. Lavdëroje dhe mbështete ndërsa fëmija u shërben të tjerëve.

^ par. 8 Nga libri Kolapsi i prindërimit, anglisht.