Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE

Kush janë Dëshmitarët e Jehovait?

Kush janë Dëshmitarët e Jehovait?

«Kisha vite që e njihja Majkun. Ai është Dëshmitar i Jehovait. Por kisha shumë pikëpyetje. Kush është Jehovai? Pse Dëshmitarët nuk i festojnë festat? Mos ishte përfshirë në ndonjë kult Majku?»—Beki, Kaliforni, SHBA.

«Kur komshinjtë nisën të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, pyesja veten: ‘Ç’kuptim ka emri Dëshmitarë të Jehovait? Sa emër i çuditshëm për një fe!’»—Zenoni, Ontario, Kanada.

«Unë dhe gruaja mendonim se Dëshmitarët e Jehovait vinin që të na bënin të ndiheshim në faj ngaqë nuk shkonim në kishë. Dhe menduam se, përderisa nuk e kishim gjetur atë që kërkonim te fetë kryesore, nuk do ta gjenim as te një sekt i çuditshëm si Dëshmitarët e Jehovait.»—Kenti, Uashington, SHBA.

«Të them të drejtën nuk e dija kush ishin e çfarë besonin.»—Sesilja, Esbjerg, Danimarkë.

Mund t’i kesh parë duke predikuar shtëpi më shtëpi ose në një vend publik, duke shpërndarë botime biblike dhe duke ofruar studime biblike falas. Edhe këtë revistë mund ta kesh marrë prej tyre. Megjithatë, ndoshta pyet veten se kush janë vërtet Dëshmitarët e Jehovait. Mbase mendon si ndonjë prej atyre që u përmendën më sipër.

Ku mund t’i kërkosh përgjigjet e pyetjeve të tilla? Si të mësosh se çfarë besojnë vërtet Dëshmitarët e Jehovait, si financohen predikimi e vendet e tyre të adhurimit dhe pse vijnë në shtëpinë tënde e të afrohen në vende publike?

Sesilja thotë: «Lexova shumë për Dëshmitarët e Jehovait në Internet. Dëgjova disa thashetheme dhe mjaft opinione paragjykuese. Si pasojë, krijova përshtypje shumë të këqija për ta.» Më vonë ajo foli vetë me Dëshmitarët e Jehovait dhe gjeti përgjigje bindëse për pyetjet e saj.

A do të doje të merrje informacione të sakta për Dëshmitarët e Jehovait? Të nxitim t’i kërkosh përgjigjet tek ata që e dinë më mirë se kushdo tjetër, vetë Dëshmitarët e Jehovait, botuesit e kësaj reviste. (Proverbat 14:15) Shpresojmë që artikujt vijues të të ndihmojnë të kuptosh kush jemi, çfarë besojmë dhe cili është aktiviteti ynë.