Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund t’i pëlqejmë vërtet Perëndisë?

A mund t’i pëlqejmë vërtet Perëndisë?

A ke lexuar ndonjëherë për njerëz që Bibla i lavdëron për cilësitë e shkëlqyera dhe ke thënë me vete «unë s’mund të jem si këta»? Ndoshta mendon: «Unë s’jam i paqortueshëm apo i drejtë, e sigurisht që s’bëj gjithmonë atë që duhet.»

Jobi «ishte i paqortueshëm dhe i drejtë».Jobi 1:1

Patriarku Job përshkruhet si «i paqortueshëm dhe i drejtë». (Jobi 1:1) Loti u quajt «njeri i drejtë». (2 Pjetrit 2:8) Për Davidin thuhet se bënte «atë që ishte e drejtë» në sytë e Zotit. (1 Mbretërve 14:8) Por le t’u hedhim një sy më nga afër këtyre personazheve biblike. Do të shohim se (1) ata bënë gabime, (2) mund të mësojmë shumë nga shembulli i tyre dhe (3) njerëzit e papërsosur mund t’i pëlqejnë vërtet Perëndisë.

ATA BËNË GABIME

«[Perëndia] e çliroi Lotin e drejtë, të cilin e brengoste së tepërmi sjellja e shthurur pas së cilës jepeshin njerëzit që sfidonin ligjin.»2 Pjetrit 2:7

Jobi kaloi një sërë vështirësish në dukje të padrejta. Dhe gabimisht mendoi se Perëndisë nuk i interesonte nëse e humbiste besimin tek Ai. (Jobi 9:20-22) Jobi ishte kaq i bindur për drejtësinë e tij, sa të tjerëve iu duk sikur po e quante veten më të drejtë se Zoti.Jobi 32:1, 2; 35:1, 2.

Loti ngurroi të merrte një vendim të thjeshtë e të qartë. Ai ishte shumë i tronditur nga imoraliteti i pështirë në Sodomë e në Gomorrë, e madje sjellja e tyre ia «torturonte shpirtin e tij të drejtë». (2 Pjetrit 2:8) Perëndia shpalli se do t’i shkatërronte ato qytete të liga e u dha mundësi Lotit e familjes së tij të shpëtonin. Ndoshta mendon se Loti i trazuar do të ishte i pari që do t’ia mbathte nga qyteti. Ama në këtë moment vendimtar ai ngurroi. Engjëjt e dërguar për të shpëtuar atë dhe familjen e tij u detyruan t’i kapnin fort për dore e t’i nxirrnin jashtë qytetit.Zanafilla 19:15, 16.

Davidi e «ndoqi [Zotin] me gjithë zemër, duke bërë vetëm atë që ishte e drejtë në sytë e [Zotit]».1 Mbretërve 14:8

Në një rast Davidi tregoi mungesë vetëkontrolli dhe kreu kurorëshkelje me gruan e një tjetri. Madje, për të fshehur të palarat, Davidi vrau burrin e saj. (2 Samuelit, kapitulli 11) Bibla thotë se ajo që bëri Davidi «ishte e keqe në sytë e Jehovait».2 Samuelit 11:27.

Jobi, Loti dhe Davidi bënë gabime, madje disa ishin të rënda. Por, siç do ta shohim, ata donin t’i shërbenin Perëndisë me gjithë zemër. Ishin të gatshëm të tregonin keqardhje e të ndryshonin. Prandaj, Zoti i shihte me sy të mirë dhe, në përgjithësi, Bibla flet për ta si burra besnikë.

ÇFARË MUND TË MËSOJMË?

Si të papërsosur, gabojmë. (Romakëve 3:23) Por, kur gabojmë, duhet të tregojmë se na vjen keq e pastaj të bëjmë ç’të mundemi për t’i rregulluar gjërat.

Si u përpoqën Jobi, Loti e Davidi t’i ndreqnin gabimet? Jobi ishte njeri me zemër plot integritet. Pasi Perëndia arsyetoi me të, Jobi ndreqi mënyrën e të menduarit dhe i tërhoqi ato që tha. (Jobi 42:6) Pikëpamja e Lotit për sjelljen imorale në Sodomë e në Gomorrë përputhej plotësisht me normat e Perëndisë. Problemi ishte se për momentin humbi ndjenjën e urgjencës. Më pas u largua nga qytetet e dënuara dhe i shpëtoi gjykimit të Zotit. Madje u bind dhe nuk e ktheu kokën prapa te gjërat që po linte. Edhe pse Davidi e shkeli me të dyja këmbët ligjin e Perëndisë, ai tregoi se çfarë kishte vërtet në zemër kur u pendua sinqerisht dhe e la veten në mëshirë të Tij.Psalmi 51.

Mendimi pozitiv i Perëndisë për ata burra tregon se është i arsyeshëm në atë që pret nga njerëzit e papërsosur. Zoti «e di mirë se si jemi formuar, dhe nuk harron që jemi pluhur». (Psalmi 103:14) Prandaj, nëse Ai e di se nuk i shmangim dot gabimet, çfarë pret nga ne?

Zoti «e di mirë se si jemi formuar, dhe nuk harron që jemi pluhur».Psalmi 103:14

SI MUND T’I PËLQEJNË PERËNDISË NJERËZIT E PAPËRSOSUR?

Këshilla që i dha Davidi birit të tij Solomon na zbulon sekretin për t’i pëlqyer Perëndisë: «Ti biri im Solomon, njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji atij me gjithë zemër.» (1 Kronikave 28:9) Çfarë do të thotë shprehja «me gjithë zemër»? Do të thotë ta duash Perëndinë me gjithë zemër e të kesh merak për vullnetin e për kërkesat e tij. Nuk do të thotë të jesh i përsosur, por të kesh dëshirë të zjarrtë t’i shërbesh me bindje Perëndisë e të pranosh me gatishmëri korrigjimin e tij. Ngaqë e donin Perëndinë dhe dëshironin t’i bindeshin atij, Perëndia e cilësoi Jobin «të paqortueshëm», Lotin ‘të drejtë’ dhe Davidin si dikush që ‘bënte vetëm atë që ishte e drejtë’ në sytë e Tij. Edhe pse bënë gabime, arritën t’i pëlqenin Perëndisë.

Kur e do Perëndinë me gjithë zemër, ke merak për vullnetin e tij si dhe dëshirë të fortë që t’i shërbesh

Prandaj le të marrim zemër nga shembujt që shqyrtuam nëse na vijnë mendime të këqija për të cilat pendohemi, nëse themi diçka për të cilën na vjen zor a nëse bëjmë gjëra që më pas kuptojmë se janë të gabuara. Zoti e di se tani për tani s’mund të jemi të përsosur. Ama pret që ta duam e të përpiqemi fort t’i bindemi. Nëse e duam me gjithë zemër, mund të jemi të sigurt se mund t’i pëlqejmë Perëndisë.