Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

IMITONI BESIMIN E TYRE | JOZEFI

«Ju lutem, dëgjoni se ç’ëndërr pashë»

«Ju lutem, dëgjoni se ç’ëndërr pashë»

JOZEFI pa gjithë ëndje drejt lindjes, me një dëshirë për t’u shkëputur nga karvani dhe t’ia mbathte. Diku përtej atyre kodrave, jo shumë larg, ishte shtëpia e tij në Hebron. Babai i tij, Jakobi, mbase po bëhej gati për mbrëmjen, pa e ditur fare se çfarë i kishte ngjarë të birit që e donte më tepër. Por Jozefi nuk mund të shkonte tek ai tani; gjithçka që dinte ai djalosh ishte se mund të mos e shihte më atë fytyrë të dashur e të rrudhur nga mosha. Tregtarët nuk ia ndanin sytë atij teksa i nxitnin devetë drejt jugut, përgjatë rrugës së rrahur tej mase. Tani, ata ishin pronarë të Jozefit, dhe e mbanin gjithnjë nën vëzhgim. Për ta, ky djalë ishte si një ngarkesë e çmuar me ekstrakte bimore dhe vajra erëmirë; mall me vlerë që do t’u sillte fitim në Egjiptin e largët.

Jozefi mund të mos ketë qenë më tepër se 17 vjeç. Përfytyroje teksa kthen kokën dhe picërron sytë drejt qiellit në perëndim, ku dielli po i afrohej horizontit në Detin e Madh, dhe teksa përpiqet të kuptojë se si i ishte kthyer përmbys gjithçka. Nuk arrinte ta besonte që vëllezërit e tij gati sa s’e vranë dhe më pas e shitën si skllav. Duhet ta ketë pasur shumë të vështirë t’i mbante lotët. Nuk e dinte çfarë e priste në të ardhmen.

Jozefi humbi lirinë, por jo besimin

Si përfundoi Jozefi në këtë situatë të vështirë? Dhe, çfarë mund të mësojmë nga besimi i këtij djaloshi që e hodhën poshtë anëtarët e familjes dhe u bë viktimë e tyre?

NJË FAMILJE E NDËRLIKUAR

Jozefi vinte nga një familje shumë e madhe, por që s’ishte as e lumtur dhe as e bashkuar. Portretizimi që i bën Bibla familjes së Jakobit, është provë e gjallë e pasojave të poligamisë—një praktikë e rrënjosur që Perëndia e toleroi në popullin e tij, derisa Biri i tij rivendosi standardin fillestar të monogamisë. (Mateu 19:4-6) Jakobi kishte të paktën 14 fëmijë nga katër gra të ndryshme—dy gratë e tij, Lea dhe Rakela, dhe shërbëtoret e tyre, Zilpa e Bilhaja. Që në fillim, Jakobi ra në dashuri me Rakelën e tij të bukur. Ai nuk pati kurrë një lidhje të tillë me Lean, motrën e madhe të Rakelës, me të cilën e martuan me dredhi. Mes dy grave ekzistonte gjithmonë rivalitet i fortë, dhe kjo xhelozi u mbart edhe te fëmijët në shtëpi.—Zanafilla 29:16-35; 30:1, 8, 19, 20; 37:35.

Rakela ishte shterpë për një kohë të gjatë, dhe, kur më në fund lindi Jozefin, Jakobi e trajtoi në mënyrë të veçantë këtë djalë që i lindi në pleqëri. Për shembull, kur familja po shkonte drejt një takimi të rrezikshëm me Esaun, vëllanë që donte ta vriste Jakobin, ai u sigurua që Rakela dhe Jozefi i vogël të qëndronin të sigurt në fund të grupit të udhëtimit. Ajo ditë e ankthshme duhet t’i ketë mbetur në mendje për një kohë të gjatë Jozefit. Imagjino si është ndier atë mëngjes teksa pyeste veten i habitur pse babai i tij i moshuar, por i fortë, tani po çalonte. Sa i mahnitur duhet të ketë qenë kur mori vesh arsyen: babai i tij ishte përleshur një natë përpara me një engjëll të fuqishëm. Pse? Sepse Jakobi donte një bekim nga Perëndia Jehova. Shpërblimi që mori Jakobi ishte ndryshimi i emrit; iu vu emri Izrael. Një komb i tërë do të mbante emrin e tij. (Zanafilla 32:22-31) Me kalimin e kohës, Jozefi mësoi se bijtë e Izraelit do të formonin fiset e atij kombi.

Më vonë, Jozefi u përball me tragjedi që në vogëli, kur personi më i dashur e la para kohe. Nëna e tij vdiq kur po lindte vëllanë e tij të vogël, Beniaminin. I ati u pikëllua thellë për këtë humbje. Imagjino Jakobin tek fshin butësisht lotët nga sytë e Jozefit, duke e ngushëlluar me të njëjtën shpresë me të cilën ishte ngushëlluar njëherë edhe gjyshi i Jakobit, Abrahami. Kushedi sa duhet të jetë prekur Jozefi kur mësoi se do të vinte dita kur Jehovai do ta sillte sërish në jetë nënën e tij. Mbase Jozefi filloi ta thellonte edhe më shumë dashurinë për ‘Perëndinë e të gjallëve’, i cili është bujar. (Luka 20:38; Hebrenjve 11:17-19) Pas vdekjes të së shoqes, Jakobi kishte gjithmonë ndjenja të përzemërta për dy djemtë që i lindi Rakela.—Zanafilla 35:18-20; 37:3; 44:27-29.

Shumë fëmijë llastohen ose marrin rrugë të keqe kur i trajtojnë në këtë mënyrë të veçantë, por Jozefi mësoi nga cilësitë e mira e të shumta të prindërve të tij, si edhe zhvilloi besim të fortë dhe aftësi të madhe për të dalluar të drejtën nga e gabuara. Në moshën 17-vjeçare, ai punonte si bari dhe ndihmonte vëllezërit e mëdhenj. Gjatë kësaj kohe, ai vërejti se ata kryenin disa keqbërje. A u tundua të mos e hapte gojën që të fitonte pëlqimin e tyre? Sido që të ketë qenë, ai bëri atë që ishte e drejtë. I tregoi të atit. (Zanafilla 37:2) Mbase ky veprim i guximshëm ia vërtetoi Jakobit se vlerësimi i madh që kishte për birin e tij të dashur, ishte me vend. Sa shembull i shkëlqyer për të rinjtë e krishterë! Kur tundohen të fshehin një mëkat të rëndë të dikujt tjetër—mbase të vëllait, të motrës ose të një miku—është e mençur të imitojnë Jozefin dhe të sigurohen që çështja t’u bëhet e ditur atyre që janë në gjendje ta ndihmojnë keqbërësin.—Levitiku 5:1.

Edhe nga jeta familjare e Jozefit mund të mësojmë diçka. Ndonëse të krishterët e vërtetë sot nuk e praktikojnë poligaminë, mes tyre ka shumë familje të përziera, me njerkë, thjeshtër dhe gjysmëvëllezër a gjysmëmotra. Të gjithë mund të mësojnë nga familja e Jakobit se të pëlqesh dikë më shumë se një tjetër dhe t’i mbash anën dikujt e minon unitetin në familje. Prindërit e mençur me familje të përziera bëjnë çmos t’i bindin fëmijët dhe thjeshtrit se e duan secilin prej tyre, se kanë dhunti unike dhe se çdonjëri mund t’i kontribuojë lumturisë familjare.—Romakëve 2:11.

XHELOZIA ZË RRËNJË

Jakobi e donte më shumë Jozefin, sepse ishte besnik dhe i drejtë

Ndoshta Jakobi e nderoi Jozefin ngaqë u tregua i guximshëm për të bërë atë që ishte e drejtë. Ai i kishte bërë një veshje të veçantë të birit. (Zanafilla 37:3) Ka të ngjarë të ishte një veshje e gjatë, elegante, që mbase ia mbulonte komplet krahët dhe këmbët. Ka mundësi të ishte një lloj rrobe që e vishnin fisnikët dhe princat.

Sigurisht, Jakobi kishte qëllime të mira, dhe Jozefi duhet të jetë prekur nga vlerësimi dhe përzemërsia e të atit. Por, kjo rrobë do ta fuste në shumë telashe. Pikë së pari, mos harro se djali punonte si bari. Kjo nënkuptonte punë fizike të vështirë. Imagjino djaloshin me këtë veshje fisnike teksa çapitet përmes barit të gjatë, ngjitet mbi shkëmbinj ose përpiqet të shpleksë nga ferra një qengj të humbur. Por, më keq akoma, si do të ndikonte te marrëdhënia me vëllezërit kjo rrobë që ishte shenjë e një pëlqimi të veçantë nga ana e Jakobit?

Bibla përgjigjet: «Kur vëllezërit panë që ati i tyre e donte atë më shumë se gjithë të tjerët, nisën ta urrenin, aq sa s’mund të flitnin njerëzisht me të.» * (Zanafilla 37:4) Xhelozia e tyre mund të jetë e kuptueshme, por ata nuk u treguan të mençur që iu dorëzuan kësaj ndjenje helmuese. (Proverbat 14:30; 27:4) A je mbushur ndonjëherë me smirë për dikë që mori vëmendjen dhe nderimin që doje ti? Mos harro vëllezërit e Jozefit. Xhelozia e tyre i nxiti të bënin veprime për të cilat do të pendoheshin më vonë. Shembulli i tyre u kujton të krishterëve se është shumë më e mençur ‘të gëzojnë me ata që gëzojnë’.—Romakëve 12:15.

Sigurisht, Jozefi e ndiente armiqësinë e vëllezërve. Prandaj, a e hiqte rrobën e bukur kur ishte pranë vëllezërve? Ndoshta do të jetë tunduar për të vepruar kështu. Megjithatë, mos harro se Jakobi donte që ajo veshje të ishte shenjë e pëlqimit dhe e dashurisë. Jozefi donte të jetonte në lartësinë e besimit që i ati kishte tek ai, kështu që u tregua besnik dhe e veshi. Shembulli i tij është i dobishëm për ne. Megjithëse Ati ynë qiellor nuk është kurrë i anshëm, ndonjëherë ai vendos t’i tregojë miratim të veçantë ndonjërit prej shërbëtorëve të tij besnikë. Për më tepër, u kërkon të jenë të ndryshëm nga kjo botë e shthurur dhe imorale. Ashtu si rroba e veçantë e Jozefit, sjellja e të krishterëve të vërtetë i dallon ata si të ndryshëm nga të tjerët përreth. Ndonjëherë, kjo sjellje nxit xhelozi dhe armiqësi. (1 Pjetrit 4:4) A duhet ta fshehë një i krishterë identitetin e tij të vërtetë si shërbëtor i Perëndisë? Jo, ashtu si Jozefi që nuk duhej ta fshihte rrobën e tij.—Luka 11:33.

ËNDRRAT E JOZEFIT

Nuk kaloi shumë dhe Jozefi pa dy ëndrra të jashtëzakonshme. Në ëndrrën e parë, Jozefi pa veten dhe vëllezërit e tij, ku secili kishte duaj drithi. Por, më pas, duajt e vëllezërve të tij i rrethuan dhe u përkulën para duajve të tij që rrinin drejt. Në ëndrrën e dytë, dielli, hëna dhe 11 yje po përkuleshin para Jozefit. (Zanafilla 37:6, 7, 9) Çfarë duhet të bëjë Jozefi me këto ëndrra të çuditshme e të gjalla?

Ëndrrat vinin nga Perëndia Jehova. Ato ishin ëndrra profetike dhe Perëndia donte që Jozefi ta përcillte mesazhin që përmbanin. Në njëfarë kuptimi, Jozefi duhej të bënte gjithçka që bënë profetët e mëvonshëm kur i përcollën mesazhet dhe gjykimet e Perëndisë popullit të tij të pabindur.

Jozefi u tha me takt vëllezërve të tij: «Ju lutem, dëgjoni se ç’ëndërr pashë.» Vëllezërit e tij e kuptuan ëndrrën, dhe nuk u pëlqeu aspak. Ata u përgjigjën: «Mos do të bëhesh mbreti ynë tani? Mos do të na sundosh?» Tregimi vazhdon: «Kështu pra, për shkak të ëndrrave dhe të fjalëve që tha, patën një arsye më tepër për ta urryer.» Kur Jozefi u tregoi ëndrrën e dytë babait dhe vëllezërve, reagimi nuk ishte më i mirë. Më tej, lexojmë: «Ai [i ati] nisi ta qortonte: ‘Ç’kuptim ka kjo ëndërr? Mos vallë unë, nëna jote dhe vëllezërit e tu do të vijmë e do të përkulemi përtokë para teje?!’» Gjithsesi, Jakobi i mbajti në mendje këto fjalë. Mos vallë Jehovai po komunikonte me atë djalë?—Zanafilla 37:6, 8, 10, 11.

Jozefi nuk ishte as shërbëtori i parë i Jehovait dhe as i fundit që iu kërkua të përcillte një mesazh profetik që nuk do të pritej mirë e që mund të nxiste edhe përndjekje. Jezui ishte personi më i madh që ka shpallur mesazhe të tilla. Ai u tha dishepujve të tij: «Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju.» (Gjoni 15:20) Të krishterët e të gjitha moshave mësojnë shumë nga besimi dhe guximi i Jozefit të ri.

URREJTJA ARRIN KULMIN

Nuk kaloi shumë kohë dhe Jakobi e dërgoi të birin në një udhëtim. Vëllezërit më të mëdhenj po kullotnin bagëtitë në veri, afër Sikemit, ku para pak kohësh kishin bërë armiq të egër. Ishte e natyrshme që Jakobi të merakosej për bijtë e tij, prandaj dërgoi Jozefin të interesohej për ta. A e imagjinon dot si ndihej Jozefi? Ai e dinte se tani vëllezërit e urrenin më shumë se kurrë. Si do të ndiheshin kur ai të shkonte si zëdhënësi i atit të tyre? Prapëseprapë, Jozefi u bind dhe u nis.—Zanafilla 34:25-30; 37:12-14.

Ishte goxha udhëtim—zgjaste ndoshta katër ose pesë ditë më këmbë. Sikemi shtrihej rreth 80 kilometra në veri të Hebronit. Por në Sikem, Jozefi mësoi se vëllezërit e tij kishin ikur në Dotan, i cili ishte pak a shumë edhe 22 kilometra më në veri. Kur më në fund Jozefi po i afrohej Dotanit, vëllezërit e tij e panë që po vinte nga larg. Menjëherë, urrejtja e tyre doli në pah. Tregimi vazhdon: «[Ata] i thanë njëri-tjetrit: ‘Ja tek po vjen ëndërrimtari! Ejani, ta vrasim, ta hedhim në një nga këto gropa uji, dhe të themi se e gllabëroi një kafshë e egër. Pastaj të shohim se ç’do të bëhet me ëndrrat e tij.’» Por Rubeni i bindi vëllezërit ta hidhnin të gjallë në një gropë, me shpresën që ta shpëtonte më vonë.—Zanafilla 37:19-22.

Pa dyshuar aspak, Jozefi iu afrua me mendimin se do të ishte një takim paqësor. Por vëllezërit e sulmuan. Ia hoqën dhunshëm rrobën e tij të veçantë, e tërhoqën zvarrë drejt një grope uji të tharë e të thellë dhe e hodhën brenda. Pasi e mori veten nga tronditja, ai mezi u çua në këmbë, por nga gropa nuk mund të dilte kurrë me forcat e veta. Ai shihte vetëm një pjesëz të qiellit teksa zëri i vëllezërve të tij venitej. Ai u thirri e iu përgjërua, por ata nuk ia vunë veshin. Me zemër të ngurtësuar, ata u ulën të hanin aty afër. Kur Rubeni kishte ikur, ata menduan sërish ta vrisnin, por Juda i bindi që më mirë ta shisnin te tregtarët që kalonin andej. Dotani ishte afër rrugës nga kalonin tregtarët për në Egjipt, dhe pak më vonë kaloi një karvan me ismaelitë dhe midianitë. Kur Rubeni u kthye, atë e kishin shitur tashmë. Për 20 sikla e bënë skllav vëllanë e tyre. *Zanafilla 37:23-28; 42:21.

Jozefi e mbrojti atë që ishte e drejtë, por prapëseprapë vëllezërit e urryen

Prandaj, ja ku u kthyem edhe një herë aty ku e nisëm tregimin. Teksa e çonin drejt jugut për në Egjipt, Jozefi dukej sikur kishte humbur gjithçka. E larguan me forcë nga familja. Për vite të tëra ai nuk do të dinte asgjë për familjen e tij—për angështinë e Rubenit i cili nuk e gjeti Jozefin kur u kthye; për pikëllimin e Jakobit kur e bënë të besonte se Jozefi i tij i dashur kishte vdekur; për Isakun, gjyshin e moshuar që ishte ende gjallë dhe për vëllanë e vogël, Beniaminin e dashur, për të cilin do ta merrte malli shumë. Por, a kishte mbetur Jozefi vërtet pa asgjë?—Zanafilla 37:29-35.

Jozefi kishte ende diçka që vëllezërit e tij nuk mund t’ia merrnin kurrë: besimin. Ai dinte shumë gjëra për Perëndinë e tij, Jehovain, dhe askush nuk mund t’ia hiqte besimin tek ai—as humbja e shtëpisë, as vështirësitë e robërisë në rrugën e gjatë për në Egjipt dhe madje, as poshtërimi kur e shitën si skllav te një egjiptian i pasur me emrin Potifar. (Zanafilla 37:36) Këto vështirësi vetëm sa ia rritën më tepër besimin dhe vendosmërinë për ta ruajtur lidhjen e ngushtë me Perëndinë e tij. Në artikujt e ardhshëm, do të shohim se si besimi e bëri Jozefin më të dobishëm për Perëndinë e tij, Jehovain, dhe për familjen e tij plot probleme. Sa të mençur tregohemi nëse imitojmë besimin e Jozefit!

^ par. 15 Disa studiues sugjerojnë se vëllezërit e Jozefit e interpretuan dhuratën si provë se i ati donte t’ia jepte atij të drejtën e të parëlindurit. Ata e dinin se Jozefi ishte djali i parë i gruas së preferuar—i asaj me të cilën donte të martohej në fillim. Për më tepër, i parëlinduri i Jakobit, Rubeni, ishte shtrirë me konkubinën e të atit, duke poshtëruar të atin dhe duke humbur kështu të drejtën e të parëlindurit.—Zanafilla 35:22; 49:3, 4.

^ par. 25 Edhe në këtë hollësi të vogël, dokumentimi i Biblës është i saktë. Dokumentet nga e njëjta periudhë kohore tregojnë se çmimi standard për skllevërit në Egjipt ishte 20 sikla.