Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kemi një familje të lumtur?

Disiplinimi i fëmijëve

Disiplinimi i fëmijëve

Xhoni: * Para se të më ndëshkonin për ndonjë faj, prindërit përpiqeshin shumë të kuptonin pse e kisha bërë dhe cilat ishin rrethanat. Edhe unë përpiqem të veproj njësoj me vajzat e mia. Kurse ime shoqe, Elisoni, vjen nga një familje krejt ndryshe. Prindërit e saj ishin më impulsivë. Duket se i ndëshkonin fëmijët pa menduar për rrethanat që i kishin shtyrë të gabonin. Nganjëherë më duket se edhe ajo i disiplinon vajzat po aq ashpër.

Karola: Babai na braktisi kur isha pesë vjeçe. Nuk donte t’ia dinte për mua e për tre motrat e mia. Mamaja punonte jashtë mase që të na siguronte jetesën, dhe unë mbaja mbi supe shumë përgjegjësi duke u kujdesur për motrat e vogla. S’gëzoja dot si fëmijët e tjerë, pasi më duhej të luaja rolin e prindit. Edhe sot e kësaj dite, më tepër jam serioze sesa e hedhur. Kur fëmijët e mi kanë nevojë për disiplinë, e vras mendjen shumë për gabimet e tyre. Dua të di pse ka ndodhur diçka dhe çfarë mendimesh i shtynë deri atje. Krejt ndryshe nga unë, im shoq, Marku, nuk i bluan gjatë gjërat. Atë e rriti një baba i dashur, por i vendosur, që u kujdes me besnikëri për gruan e vet. Im shoq i zgjidh më shpejt problemet me vajzat tona. E vlerëson situatën, e zgjidh dhe vazhdon përpara.

SIÇ duket nga komentet e Xhonit dhe Karolës, mënyra si jemi rritur mund të ndikojë thellë në mënyrën si i disiplinojmë fëmijët tanë. Bashkëshortët që janë rritur në familje të ndryshme, me siguri do të kenë prirje krejt të ndryshme për stërvitjen e fëmijëve. Nganjëherë, këto ndryshime shkaktojnë tension në martesë.

Tensionin mund ta shtojë edhe lodhja. Ata që sapo janë bërë prindër, shpejt mësojnë se disiplinimi i fëmijëve është një punë e lodhshme që të ha gjithë kohën. Xhoana, e cila bashkë me të shoqin, Darrenin, ka rritur dy vajza, thotë: «I dua shumë vajzat e mia, por rrallë ndodhte që ato të donin të flinin kur u thosha unë. Zgjoheshin në momentet më të papërshtatshme. Më ndërpritnin kur doja të flitja. I linin andej-këtej këpucët, rrobat e lodrat dhe asnjëherë s’e vinin prapë në frigorifer gjalpin.»

Xheku, gruaja e të cilit vuajti nga depresioni i paslindjes me fëmijën e dytë, thotë: «Shpesh kthehesha nga puna i sfilitur dhe pastaj më duhej të rrija zgjuar me bebin gjysmën e natës. Kjo na e bënte të vështirë ta disiplinonim siç duhej vajzën e madhe. Ajo ishte xheloze që tani nuk po ia kushtonim gjithë vëmendjen.»

Kur prindërit e lodhur nuk bien dakord se si ta stërvitin një fëmijë, zënkat e vogla mund të kthehen në debate të mëdha. Mosmarrëveshjet e pazgjidhura mund të krijojnë një hendek që i largon bashkëshortët dhe që i jep mundësi fëmijës të vërë njërin prind kundër tjetrit. Cilat parime biblike do ta ndihmojnë një çift të mbajë një lidhje të ngushtë martesore, ndërsa stërvitin me sukses fëmijët?

Lini kohë për njëri-tjetrin

Martesa duhet të ekzistojë para se të vijnë fëmijët dhe është menduar të zgjatë shumë kohë pasi të largohen ata. Bibla thotë për lidhjen martesore: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mateu 19:6) Ndryshe nga kjo, në të njëjtin kontekst tregohet se Perëndia kishte ndër mend që fëmijët së fundi ‘të linin babanë dhe nënën’. (Mateu 19:5) Në fakt, rritja e fëmijëve është vetëm një fazë e martesës, jo baza e saj. Natyrisht, prindërit duhet t’i kushtojnë kohë stërvitjes së fëmijëve, por s’duhet të harrojnë se themeli më i mirë për ta bërë këtë është një martesë e fortë.

Cila është një mënyrë se si një çift mund ta mbajë të fortë lidhjen gjatë viteve kur rritin fëmijët? Sa të jetë e mundur, lini kohë rregullisht që ta kaloni bashkë, pa fëmijët. Kjo do t’ju japë mundësi të flitni për çështje të rëndësishme familjare dhe të gëzoni shoqërinë e njëri-tjetrit. Kuptohet, nuk është e lehtë të gjeni kohë që ta kaloni bashkë si çift. Elisoni, nëna për të cilën u fol më lart, thotë: «Pikërisht atëherë kur duket se unë dhe im shoq mund të kalojmë ca çaste së bashku, vajza e vogël kërkon vëmendjen tonë ose vajza e madhe, gjashtë vjeçe, ka ndonjë ‘problem’ madhor, si për shembull nuk po gjen dot lapsat për vizatim.»

Xhoana dhe Darreni, të përmendur më parë, arrinin të gjenin kohë për njëri-tjetrin duke u caktuar vajzave një orar për të fjetur dhe duke iu përmbajtur atij. Xhoana thotë: «U kërkonim gjithnjë vajzave të ishin në shtrat dhe gati për gjumë në një orar të caktuar. Kështu Darreni dhe unë kishim pak kohë për t’u çlodhur e për të folur.»

Duke përcaktuar një orar kur të flenë fëmijët, një çift jo vetëm që do të blejë kohë për vete, por edhe do t’i ndihmojë ‘të mos mendojnë për veten më shumë nga sa duhet të mendojnë’. (Romakëve 12:3) Me kalimin e kohës, fëmijët që stërviten të respektojnë orarin e gjumit, kuptojnë se janë një rreze e rëndësishme e rrethit familjar, por jo boshti. Duhet të zbatojnë rregullat e familjes, e jo të presin që familja t’u vijë pas avazit me tekat e tyre.

SUGJERIM: Përcaktoni një orar kur duhet të flenë fëmijët dhe përmbajuni gjithnjë. Nëse fëmija nxjerr një arsye pse duhet të rrijë zgjuar edhe pak, si për shembull për një gotë ujë, mund t’ia lejoni atë kërkesë. Por mos e lejoni ta shtyjë vazhdimisht orarin e fjetjes me një radhë të pafund kërkesash. Nëse fëmija ju lutet të rrijë edhe pesë minuta, mund t’ia plotësoni dëshirën, por ama vini një zile që të bjerë pas pesë minutash. Kur të bjerë zilja, vëreni fëmijën të flejë pa i bërë lëshime të tjera. Nëse thoni «‘Po’, le të jetë ‘Po’, dhe nëse thoni ‘Jo’, le të jetë ‘Jo’».​—Mateu 5:37.

Veproni si skuadër

«Dëgjoje, o biri im, disiplinën e atit tënd dhe mos e braktis ligjin e nënës sate»,—thotë një fjalë e urtë. (Proverbat 1:8) Ky varg biblik tregon se edhe babai, edhe nëna, kanë të drejtë të ushtrojnë autoritet mbi fëmijët. Por, edhe kur bashkëshortët janë rritur në familje të ngjashme, mund të mos jenë dakord për mënyrën si duhen disiplinuar fëmijët ose për rregullat familjare që duhen zbatuar në një situatë të veçantë. Si ta përballojnë këtë sfidë?

Xhoni, i përmendur më parë, thotë: «Mendoj se është e rëndësishme të mos debatojmë në sy të fëmijëve.» Gjithsesi, e pranon se të veprosh si skuadër është më e lehtë të thuhet se të bëhet. Ai thotë: «Fëmijët janë shumë të mprehtë. Edhe sikur të mos debatojmë me fjalë, vajza jonë e kupton çfarë ndiejmë.»

Si e përballojnë Xhoni dhe Elisoni këtë sfidë? Elisoni thotë: «Nëse nuk jam dakord me mënyrën si e disiplinon Xhoni vajzën, pres derisa të jemi në një vend ku ajo nuk na dëgjon, pastaj shpjegoj ç’mendoj. S’dua që vajza të mendojë se mund të përdorë taktikën ‘përça e sundo’ duke përfituar nga pikëpamjet tona të ndryshme. Në qoftë se ajo e kupton se nuk jemi dakord, i shpjegoj se çdo pjesëtar i familjes duhet të ndjekë rregullin që ka vendosur Jehovai. I them se unë i nënshtrohem me dëshirë autoritetit të babait të saj, ashtu siç duhet t’i nënshtrohet ajo autoritetit tonë si prindër.» (1 Korintasve 11:3; Efesianëve 6:1-3) Xhoni thotë: «Kur jemi bashkë si familje, zakonisht i disiplinoj unë vajzat. Por nëse Elisoni e njeh më mirë një situatë, lë atë që të fillojë t’i disiplinojë, pastaj e mbështes. Në qoftë se s’jam dakord për diçka, ia them më vonë.»

Ç’të bëni që mosmarrëveshjet për stërvitjen e fëmijëve të mos krijojnë mërira mes jush si bashkëshortë e si pasojë të minojnë respektin e fëmijëve për ju?

SUGJERIM: Çdo javë caktoni një kohë që të flitni për çështjet e stërvitjes së fëmijëve dhe të diskutoni hapur ndonjë mosmarrëveshje që mund të keni. Përpiquni të kuptoni këndvështrimin e bashkëshortit dhe respektoni faktin se ai ose ajo ka një lidhje personale me fëmijën.

Fitoni përvojë së bashku si prindër

Pa dyshim, stërvitja e fëmijëve është punë e lodhshme. Nganjëherë mund të duket sikur të merr gjithë kohën dhe energjitë. Por herët a vonë fëmijët do të largohen nga shtëpia dhe ju e bashkëshorti do ta ndieni prapë veten një çift. A do të forcohet lidhja juaj martesore nga rritja e fëmijëve apo do të dobësohet? Përgjigjja do të varet nga sa e zbatoni parimin që gjendet tek Eklisiastiu 4:9, 10: «Dy janë më mirë se një, sepse kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre. Sepse në rëntë njëri, tjetri mund ta ngrejë shokun.»

Kur prindërit punojnë si shokë skuadre, rezultatet mund të jenë shumë të kënaqshme. Karola, e përmendur më parë, i shpreh kështu ndjenjat: «E dija se im shoq kishte shumë cilësi të mira, por teksa rritnim fëmijët kam parë një pjesë krejt të re të personalitetit të tij. Më janë shtuar respekti dhe dashuria për të, ndërsa shikoja se me sa dashuri kujdesej për vajzat.» Xhoni thotë për Elisonin: «Kam parë se si ime shoqe është bërë një nënë e kujdesshme dhe kjo ma ka thelluar dashurinë dhe admirimin për të.»

Nëse lini kohë për njëri-tjetrin si bashkëshortë dhe nëse punoni si skuadër gjatë rritjes së fëmijëve, martesa juaj do të forcohet me kalimin e viteve. E ç’shembull më të mirë mund t’u lini fëmijëve?!

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.

PYET VETEN . . .

  • Sa kohë kaloj çdo javë me bashkëshortin, pa pasur fëmijët vërdallë?

  • Si e mbështes bashkëshortin kur ai ose ajo disiplinon fëmijët?