Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush është Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë?

Kush është Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë?

Nën frymëzimin e Perëndisë, disa shkrimtarë të Biblës dokumentuan të dhëna që na ndihmojnë të identifikojmë Mbretin e Mbretërisë së Perëndisë. Ky Mbret do të ishte:

  • I zgjedhur nga Perëndia. «Unë vetë e kam vënë mbretin tim në fron. . . . Unë do të t’i jap kombet si trashëgimi dhe skajet e tokës si zotërim.»—Psalmi 2:6, 8.

  • Trashëgimtar i mbretit David. «Na ka lindur një fëmijë, na është dhënë një bir. . . . Mbretërimi i tij do të shtrihet kudo dhe paqja nuk do të ketë fund në fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij. Ajo do të vendoset patundshmërisht.»—Isaia 9:6, 7.

  • I lindur në Betlehem. «Nga ti, o Betlehem-Efratah . . . do të dalë për mua ai që do të qeverisë. . . . Pushteti i tij do të shtrihet deri në skajet e tokës.»—Mikea 5:2, 4.

  • I hedhur poshtë dhe i ekzekutuar nga njerëzit. «E përbuzën, dhe ne nuk e çmuam aspak. . . . Atë e shpuan tejpërtej për shkeljet tona; e shtypën për fajet tona.»—Isaia 53:3, 5.

  • I ngritur nga të vdekurit dhe i lartësuar nga Perëndia. «Se Krishti . . . nuk u braktis në Varr dhe se trupi i tij nuk u kalb. . . . Ai u lartësua në të djathtën e Perëndisë.»—Veprat 2:31, 33.

Jezu Krishti Mbreti ideal

Gjatë gjithë historisë njerëzore, vetëm një njeri i ka plotësuar të gjitha këto kërkesa, dhe ai është Jezu Krishti. Në fakt, një engjëll i kishte thënë Marisë, nënës së Jezuit: «Perëndia . . . do t’i japë fronin e Davidit, të atit, . . . dhe Mbretëria e tij s’do të ketë fund.»—Luka 1:31-33.

Jezui nuk u bë kurrë mbret në tokë. Por njerëzimin do ta qeverisë nga qielli si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Pse është Mbreti ideal? Të shohim çfarë bëri Jezui kur ishte në tokë.

  • Jezuit i dhimbseshin njerëzit dhe kujdesej për ta. Ai ndihmoi burra e gra, të rinj e të moshuar, pavarësisht nga formimi ose pozita shoqërore. (Mateu 9:36; Marku 10:16) Kur një i lebrosur iu përgjërua, «po të duash, ti mund të më pastrosh», i shtyrë nga keqardhja, Jezui e shëroi.—Marku 1:40-42.

  • Jezui na mësoi si ta kënaqim Perëndinë. Ai tha: «Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.» Tha edhe se duhet t’i trajtojmë të tjerët si do të donim të na trajtonin—një parim që sot njihet si Rregulla e Artë. Po ashtu, tregoi se Perëndisë nuk i interesojnë vetëm veprimet tona, por edhe mendimet dhe ndjenjat tona. Prandaj, që t’i sjellim kënaqësi Perëndisë, duhet të kontrollojmë çfarë ndiejmë thellë në zemër. (Mateu 5:28; 6:24; 7:12) Jezui theksoi se, që të jemi vërtet të lumtur, duhet të mësojmë çfarë dëshiron Perëndia të bëjmë dhe pastaj ta zbatojmë.—Luka 11:28.

  • Jezui na mësoi çfarë do të thotë t’i duam të tjerët. Fjalët e veprimet e Jezuit ishin aq të fuqishme, sa preknin zemrat e atyre që e dëgjonin. «Turma mbeti e mahnitur nga mënyra si mësonte, sepse ai mësonte si njeri me autoritet.» (Mateu 7:28, 29) Ai u mësoi: «Doni armiqtë tuaj.» Ai madje u lut për disa nga ata që kishin gisht në vdekjen e tij: «O Atë, fali se nuk dinë ç’po bëjnë!» —Mateu 5:44; Luka 23:34.

Jezui është më se i kualifikuar për të qenë Mbreti i duhur, një Mbret zemërmirë e që mezi pret të ndihmojë. Por, kur do të fillojë të qeverisë?