Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Si e tregojnë tullat që janë zbuluar në rrënojat e Babilonisë së lashtë dhe metodat e prodhimit të tyre se Bibla është e saktë?

ARKEOLOGËT kanë zbuluar një numër të madh tullash të pjekura në Babiloninë e lashtë, që ishin përdorur për të ndërtuar qytetin. Sipas arkeologut Robert Kolduej, ato tulla ishin prodhuar në furra që gjendeshin ‘jashtë qytetit, ku kishte argjilë të mirë dhe . . . shkurre me bollëk për të ndezur zjarr’.

Dorëshkrime të lashta tregojnë se zyrtarët babilonas i përdornin furrat edhe për një qëllim djallëzor. Pol-Alan Bolju, profesor i asiriologjisë në Universitetin e Torontos, thotë: «Disa burime babilonase . . . dokumentojnë se mbreti urdhëronte të digjeshin në zjarr ata që ishin fajtorë për rebelim ose sakrilegj.» Një dokument nga koha e mbretit Nabukodonosor thotë: «Shkatërrojini, digjini, piqini, . . . në furrën e gatimit . . . le t’u dalë tymi shtëllungë, silluani fundin me flakë të pamëshirshme.»

Kjo u kujton lexuesve të Biblës ngjarjet që janë dokumentuar te kapitulli 3 i Danielit. Te ky libër historik thuhet se mbreti Nabukodonosor ngriti një shëmbëlltyrë të madhe prej ari në rrafshinën e Durës—jashtë qytetit të Babilonisë. Kur tre të rinj hebrenj, Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja, nuk pranuan të përkuleshin para saj, Nabukodonosori u tërbua keq e dha urdhër që ta nxehnin furrën «shtatë herë më shumë se zakonisht». Pastaj urdhëroi që tre burrat të hidheshin «në furrën me zjarr përvëlues». Mirëpo, një engjëll i fuqishëm i shpëtoi nga vdekja e sigurt.—Dan. 3:1-6, 19-28.

© The Trustees of the British Museum. I licensuar nga CC BY-NC-SA 4.0. Source

Një tullë e pjekur ku është stampuar emri i Nabukodonosorit

Edhe tullat që janë zbuluar në Babiloni dëshmojnë se Bibla është e saktë. Mes tyre ka shumë tulla ku janë stampuar mbishkrime me lavdërime për mbretin. Në një nga këto mbishkrime thuhet: «Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë . . . Pallati, banesa që ndërtoi Madhëria ime . . . Pasardhësit e mi mbretërofshin përgjithmonë në këtë shtëpi.» Ky mbishkrim është shumë i ngjashëm me fjalët e Nabukodonosorit te Danieli 4:30, ku ai mbret u mburr: «A s’është kjo Babilonia e Madhe, që unë vetë e kam ndërtuar si shtëpi mbretërore me forcën e fuqinë time dhe për lavdinë e madhështisë sime?!»