Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Eriku dhe Emi

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—në Ganë

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—në Ganë

A NJEH ndonjë vëlla a motër që është transferuar në një vend tjetër ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë? A ke pyetur ndonjëherë veten: «Çfarë i motivon të shërbejnë në një shtet tjetër? Si përgatiten për këtë shërbim? A mund të marr pjesë edhe unë në këtë lloj shërbimi?» Sigurisht, një mënyrë e mirë për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve është të flasim me këta vëllezër dhe motra. Le të fillojmë.

ÇFARË I MOTIVON?

Ç’të nxiti të mendoje për shërbimin në një vend tjetër ku ka më shumë nevojë? Emi, tani në mes të të 30-ave, është nga Shtetet e Bashkuara. Ajo tregon: «Kisha vite që mendoja të shërbeja në një vend tjetër, por dukej një synim i paarritshëm për mua.» Si ndryshoi pikëpamje? «Më 2004, një çift që shërbenin në Belize më ftuan të shkoja e të shërbeja me ta si pioniere për një muaj. Ashtu bëra, dhe më pëlqeu shumë. Një vit më vonë u transferova në Ganë për të shërbyer si pioniere.»

Aaroni dhe Stefania

Ca vite më parë, Stefania, tani në fund të të 20-ave, edhe ajo nga Shtetet e Bashkuara, i peshoi mirë rrethanat e saj dhe mendoi: «Gëzoj shëndet të mirë dhe nuk kam detyrime familjare. Mund të bëj për Jehovain shumë më tepër nga ç’po bëj.» Ai vetëshqyrtim i ndershëm e nxiti të transferohej në Ganë për të zgjeruar shërbimin. Filipi dhe Ida, një çift pionierësh mbi 50 vjeç nga Danimarka, e kishin ëndërr të transferoheshin në një territor ku ka më shumë nevojë. Ata kërkuan mënyra si ta bënin realitet këtë ëndërr. Filipi thotë: «Kur na u paraqit mundësia, ishte sikur Jehovai po na thoshte: ‘Ky është rasti, jepini!’» Në vitin 2008, ata u transferuan në Ganë dhe shërbyen atje më shumë se tre vjet.

Bruku dhe Hansi

Hansi dhe Bruku, një çift pionierësh në të 30-at, shërbejnë në Shtetet e Bashkuara. Në 2005-n, ata ishin pjesë e grupit që ndihmoi pas dëmeve të shkaktuara nga uragani Katrina. Më vonë, plotësuan kërkesën për të ndihmuar në projekte ndërkombëtare ndërtimi, por nuk morën ndonjë ftesë. Hansi kujton: «Më pas dëgjuam një fjalim kongresi ku përmendej rasti i mbretit David që e pranoi se nuk do t’i lejohej të ndërtonte tempullin, prandaj ndryshoi synim. Kjo më ndihmoi të kuptoja se nuk ka ndonjë gjë të keqe të ndryshosh synimet teokratike.» (1 Kron. 17:1-4, 11, 12; 22:5-11) Bruku shton: «Jehovai donte që të trokitnim në një derë tjetër.»

Përvojat fantastike të miqve të tyre që shërbenin në shtete të tjera, i nxitën Hansin dhe Brukun të provonin të shërbenin si pionierë jashtë shtetit. Në vitin 2012 shkuan në Ganë dhe patën mundësi të shërbenin atje katër muaj, në një kongregacion të gjuhës së shenjave. Ndonëse iu desh të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara, shërbimi në Ganë ua shtoi dëshirën që ta mbanin Mbretërinë në vend të parë. Që nga ajo kohë, kanë ndihmuar në një projekt ndërtimi të degës së Mikronezisë.

HAPAT PËR TË ARRITUR SYNIMIN

Si u përgatite për të shërbyer ku ka më shumë nevojë? Stefania * thotë: «Bëra kërkime në artikujt e Kullës së Rojës që flasin për shërbimin ku ka më shumë nevojë. Gjithashtu fola me pleqtë e kongregacionit dhe me mbikëqyrësin qarkor e me gruan e tij për dëshirën që të shërbeja në një vend tjetër. Mbi të gjitha, ia përmendja shpesh në lutje Jehovait synimin tim.» Njëkohësisht, Stefania bënte një jetë të thjeshtë. Kjo i dha mundësi të vinte ca para mënjanë për të mbajtur veten kur të shërbente në një vend tjetër.

Hansi tregon: «Iu lutëm Jehovait të na udhëhiqte, sepse donim të shkonim ku të na drejtonte ai. Gjithashtu, në lutje përmendëm edhe datën specifike kur do të transferoheshim.» Çifti u dërgoi letra katër degëve. Pasi morën një përgjigje shumë pozitive nga zyra e degës së Ganës, shkuan atje me mendimin për të qëndruar dy muaj. Por Hansi thotë: «U kënaqëm aq shumë në shërbim me kongregacionin, sa vendosëm të qëndronim më gjatë.»

Adria dhe Xhorxhi

Xhorxhi dhe Adria, një çift në fund të të 30-ave nga Kanadaja, mbajtën parasysh se Jehovai bekon vendimet e mira, jo thjesht qëllimet e mira. Prandaj hodhën hapa të vendosur për të arritur synimin e tyre. Kontaktuan me një motër e cila shërbente ku kishte më tepër nevojë në Ganë dhe i bënë shumë pyetje. Veç kësaj, i shkruan degës së Kanadasë dhe degës së Ganës. Adria thotë: «Kërkuam mënyra për ta thjeshtuar jetën edhe më shumë.» Ato vendime u dhanë mundësi të transferoheshin në Ganë në vitin 2004.

PËRBALLIMI I SFIDAVE

Cilat sfida hase pasi u transferove, dhe si i përballove? Vështirësia që pati në fillim Emi ishte se e merrte malli për familjen. «Çdo gjë ishte krejt ndryshe nga ç’isha mësuar.» Çfarë e ndihmoi? Ajo thotë: «Telefonatat nga familjarët që më thoshin sa shumë e vlerësonin shërbimin tim më ndihmuan të mos harroja arsyen pse kisha vendosur të transferohesha. Më vonë, fillova të komunikoja me familjen nëpërmjet videove. Ngaqë e shihnim njëri-tjetrin, më dukej sikur nuk i kisha shumë larg.» Emi tregon se zuri miqësi me një motër vendëse me përvojë, e kjo e ndihmoi të kuptonte mirë zakonet e vendit. Ajo thotë: «Shoqja ime u bë personi i parë ku shkoja sa herë që s’kuptoja pse njerëzit reagonin në njëfarë mënyre. Me ndihmën e saj, mësova çfarë duhej të bëja dhe çfarë jo. Falë kësaj, arrita të shërbeja me gëzim.»

Xhorxhi dhe Adria tregojnë se iu duk sikur u kthyen prapa në kohë, kur shkuan për herë të parë në Ganë. Adria thotë: «Në vend të lavatriçes përdornim kova. Dukej sikur për të gatuar një vakt na duhej dhjetëfishi i kohës. Por më vonë, ato situata disi të vështira u kthyen në përvoja të reja.» Bruku thotë: «Me gjithë pengesat që hasim si pionierë, e shijojmë jetën. Kur i bashkojmë të gjitha përvojat inkurajuese që kemi kaluar, bëhet një buqetë e bukur kujtimesh që i çmojmë pa masë.»

NJË SHËRBIM SHPËRBLYES

Pse ua rekomandon të tjerëve këtë lloj shërbimi? Stefania thotë: «Predikimi në një territor ku takon njerëz aq të etur për të mësuar të vërtetën sa duan të studiojnë Biblën me ty çdo ditë, të mbush me gëzim. Shërbimi atje ku ka më shumë nevojë është një nga vendimet më të mira të jetës sime.» Në 2014-n, Stefania u martua me Aaronin, dhe sot shërbejnë në zyrën e degës në Ganë.

Kristina, një pioniere nga Gjermania, tani në fillim të të 30-ave, thotë: «Është një përvojë jashtëzakonisht e bukur.» Para se të transferohej në Ganë, ajo shërbente në Bolivi. Kristina shton: «Largësia nga familja më ka shtyrë të mbështetem gjithnjë te Jehovai. Ai është bërë për mua më real se kurrë. Veç kësaj, përjetoj unitetin e mrekullueshëm që ekziston mes popullit të Jehovait. Ky shërbim më ka pasuruar jetën.» Kohët e fundit Kristina u martua me Gideonin, dhe së bashku vazhdojnë të shërbejnë në Ganë.

Kristina dhe Gideoni

Filipi dhe Ida na tregojnë çfarë bënë që t’i ndihmonin studentët e Biblës të përparonin. «Në fillim kishim 15 a më shumë studime biblike, por vendosëm të mos drejtonim më shumë se 10, që t’i mësonim mirë studentët tanë.» A nxorën dobi studentët? Filipi tregon: «Studioja me një djalë që quhet Majkëll. Ai kishte mundësi të studionte çdo ditë dhe përgatitej aq mirë sa e mbaroi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? brenda një muaji. Pastaj Majkëlli u bë lajmëtar i papagëzuar. Ditën e parë të shërbimit më tha: ‘A mund të më ndihmosh për studimet biblike që kam?’ E pashë i habitur. Majkëlli më shpjegoi se kishte filluar tri studime dhe i duhej ndihmë që t’i drejtonte.» Vetëm imagjino: kaq e madhe është nevoja për mësues, sa edhe studentët e Biblës janë mësues të Biblës!

Ida dhe Filipi

Emi e kuptoi shpejt nevojën e madhe për lajmëtarë. Ajo tregon: «Pak pasi erdha në Ganë, predikuam në një fshat të vogël dhe kërkuam personat që nuk dëgjojnë. Vetëm në një fshat gjetëm, jo një, por tetë veta që nuk dëgjojnë.» Ndërkohë Emi u martua me Erikun, dhe së bashku shërbejnë si pionierë specialë. Ata ndihmojnë një kongregacion të gjuhës së shenjave në një vend ku ka mbi 300 lajmëtarë dhe të interesuar që nuk dëgjojnë. Kurse për Xhorxhin dhe Adrian, shërbimi në Ganë ishte një mundësi që të provonin ç’do të thotë të jesh misionar. Sa të lumtur ishin kur morën ftesën për të ndjekur klasën e 126-të të Shkollës së Galaadit! Sot shërbejnë si misionarë në Mozambik.

TË MOTIVUAR NGA DASHURIA

Sa na ngrohet zemra kur shohim gjithë këta veta nga shtete të tjera që punojnë pa u lodhur përkrah motrave e vëllezërve vendës për të mbledhur të korrat! (Gjoni 4:35) Çdo javë, në Ganë pagëzohen mesatarisht 120 veta. Ashtu si 17 lajmëtarët në Ganë që janë transferuar ku ka më shumë nevojë, mijëra e mijëra lajmëtarë në mbarë botën ‘janë paraqitur vullnetarisht’ për të shërbyer, të motivuar nga dashuria për Jehovain. Ata shërbejnë në zona ku ka nevojë për më tepër lajmëtarë të Mbretërisë. Sa ia gëzojnë zemrën Jehovait këta lajmëtarë të palodhur që ofrohen vullnetarisht!​—Psal. 110:3; Prov. 27:11.

^ par. 9 Shih, për shembull, artikujt «A mund të shërbeni atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë?» dhe «A mund të kalosh në Maqedoni?»​—Kullat e Rojës 15 prill 2009 dhe 15 dhjetor 2009.