Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si nxjerr dobi nga interesimi i Perëndisë?

Si nxjerr dobi nga interesimi i Perëndisë?

Perëndia i ka krijuar trupat tanë me aftësinë e mrekullueshme për t’u shëruar. Nëse pritemi, gërvishtemi a shpohemi, një trup i shëndetshëm «nis një proces të komplikuar, të projektuar për të shëruar plagë të mëdha e të vogla». (Johns Hopkins Medicine) Ai hidhet menjëherë në veprim që të ndalojë gjakrrjedhjen, të shërojë plagën dhe të forcojë indin.

NDALU E MENDO: Nëse Krijuesi i projektoi trupat tanë me aftësinë për të shëruar plagët fizike, a nuk është e arsyeshme të besojmë premtimin e tij se do të na ndihmojë të marrim veten edhe nga plagët emocionale? Psalmisti shkroi: «Ai shëron zemërvrarët dhe lidh plagët e tyre të dhembshme.» (Psalmi 147:3) Po nëse po vuan nga ndonjë traumë emocionale, si mund të jesh i sigurt se Jehovai do të t’i lidhë plagët​—tani dhe në të ardhmen?

ÇFARË NA MËSON BIBLA PËR DASHURINË E PERËNDISË

Perëndia premton: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos i hidh sytë rreth e përqark, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj.» (Isaia 41:10) Një person që e di se Jehovai interesohet për të, ka paqe mendore dhe forcë për të përballuar vështirësitë. Apostulli Pavël e quajti këtë qetësi të brendshme «paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim». Ai shtoi: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»​—Filipianëve 4:4-7, 9, 13.

Shkrimet na ndihmojnë të kemi besim te premtimet e Jehovait për të ardhmen e njerëzimit. Për shembull, Zbulesa 21:4, 5 na tregon çfarë do të bëjë Ai dhe pse mund t’i besojmë:

  • «Ai do të fshijë çdo lot» nga sytë e njerëzve. Jehovai do t’i eliminojë të gjitha vuajtjet e ankthet tona, edhe ato që duken të papërfillshme në sytë e të tjerëve.

  • «Ulur në fron» në lavdi qiellore, Mbreti i Plotfuqishëm i gjithë krijimit do të ushtrojë fuqinë dhe autoritetin që të parandalojë vuajtjet e të na sigurojë ndihmën e nevojshme.

  • Jehovai garanton se premtimet e tij janë «të besueshme dhe të vërteta». Me fjalë të tjera, emri dhe reputacioni i tij janë garanci se do ta mbajë fjalën.

«‘Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.’ Ai që rri ulur në fron, tha: ‘Ja, po bëj çdo gjë të re.’ Gjithashtu, tha: ‘Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.’»​—Zbulesa 21:4, 5.

Si universi fizik, edhe Bibla na zbulojnë personalitetin dhe cilësitë e Atit tonë qiellor. Ndërsa krijimi na fton pa fjalë që ta njohim Perëndinë si Mikun tonë të ngushtë, Bibla na fton me fjalët: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jakovi 4:8) Dhe, siç thotë Veprat 17:27: «Ai nuk është larg nga secili prej nesh.»

Teksa lë kohë për ta njohur Perëndinë, do të bindesh gjithnjë e më tepër se ‘ai interesohet për ty’. (1 Pjetrit 5:7) Ç’dobi praktike vijnë kur ke këtë lloj besimi te Jehovai?

Shiko çfarë i ndodhi Torus nga Japonia. Edhe pse u rrit nga një nënë e krishterë, u bë pjesë e botës së dhunshme të jakuzës, mafias japoneze. Ai tregon: «Mendoja se Zoti më urrente dhe se vdekjet e njerëzve që kisha afër, sidomos të atyre që kisha më shumë për zemër, ishin ndëshkim për mua.» Toru pranon se, për shkak të këtij mjedisi e qëndrimi shkatërrimtar, u bë «i pashpirt e i pandjeshëm». Ai flet për ambicien që kishte: «Doja të vdisja i ri pasi të kisha vrarë dikë më të famshëm se vetja, e kështu të bëja emër.»

Megjithatë, kur ai dhe e shoqja, Hana, studiuan Biblën, Toru ndryshoi kryekëput jetën dhe pikëpamjen. Hana thotë: «I pashë me sytë e mi ndryshimet e tim shoqi.» Tani Toru shprehet me bindje: «Ka një Perëndi që interesohet vërtet për secilin prej nesh. Ai nuk dëshiron që të vdesë asnjë dhe është gati t’i falë ata që pendohen me gjithë zemër për gabimet e tyre. Na dëgjon kur i shprehim gjëra që s’mund t’ia tregojmë askujt tjetër e s’arrin t’i kuptojë askush veç tij. Në të ardhmen e afërt Jehovai do të zhdukë çdo problem, vuajtje e dhembje therëse. Edhe tani na ndihmon në mënyra që as na i pret mendja. Ai na do dhe na ndihmon kur ndihemi përtokë.»​—Psalmi 136:23.

Siç tregon rasti i Torus, dijenia se Perëndia ka mundësi dhe së shpejti do të zhdukë të gjitha tragjeditë e do të fshijë çdo pikë loti, jo vetëm na jep një shpresë të sigurt për të ardhmen, por edhe na ndihmon të bëjmë një jetë më të mirë që tani. Vërtet, edhe në këtë botë plot e përplot vuajtje, mund të nxjerrësh dobi nga interesimi i dashur i Perëndisë.