Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ninevia ishte qytet me ndërtesa dhe monumente mbresëlënëse

A e dini?

A e dini?

Çfarë ndodhi me Ninevinë pas ditëve të Jonait?

NË SHEKULLIN e shtatë p.e.s., Asiria ishte bërë perandoria më e madhe në botë. «Ajo shtrihej nga Qiproja në perëndim deri në Iran në lindje, e madje për njëfarë kohe përfshinte edhe Egjiptin»,—thuhet në Blogun e Muzeut Britanik. Kryeqyteti, Ninevia, ishte qyteti më i madh në gjithë botën. Kishte monumente mbresëlënëse, kopshte spektakolare, pallate luksoze dhe biblioteka madhështore. Mbishkrimet në muret e Ninevisë së lashtë tregojnë se mbreti Ashurbanipal, njësoj si mbretërit e tjerë asirianë, e quante veten «mbreti i botës». Në atë kohë, Asiria dhe Ninevia dukeshin të pamposhtshme.

Fuqia botërore asiriane ishte perandoria më e madhe e asaj kohe në botë

Gjithsesi, kur Asiria ishte në kulmin e lavdisë, Sofonia, profeti i Jehovait, paratha: «[Jehovai] . . . do ta shkatërrojë Asirinë. Ninevinë do ta kthejë në shkreti, në vend të thatë si shkretëtira.» Përveç kësaj, Naumi, një profet tjetër i Jehovait, paratha: «Plaçkitni argjend, plaçkitni ar. . . . Qyteti është bosh, i shkretë e i rrënuar! . . . Të gjithë ata që do të të shohin, do t’ia mbathin nga ti e do të thonë: ‘Ninevia është shkretuar!’» (Sof. 2:13; Nau. 2:9, 10; 3:7) Kur dëgjonin ato profeci, njerëzit ndoshta vritnin mendjen: «A mund të ndodhë kjo vallë?! A mund të mposhtet ndonjëherë Asiria e fuqishme?» Ka shumë mundësi që kjo dukej e pabesueshme.

Ninevia u katandis në një vend të shkretë!

Prapëseprapë, e pabesueshmja ndodhi! Nga fundi i shekullit të shtatë p.e.s., Asirinë e kishin pushtuar babilonasit dhe medët. Me kalimin e kohës, Ninevia mbeti e shkretë dhe u mbulua nga pluhuri i harresës. Një botim i Muzeut Metropolitan të Artit në Nju-Jork thotë: «Gjatë Mesjetës, ai vend ishte plotësisht i braktisur dhe i varrosur nën tokë. Ninevia kujtohej kryesisht ngaqë përmendej në Bibël.» Sipas Arkivit Online të Shoqërisë Biblike të Arkeologjisë, në fillim të viteve 1800, «askush nuk e dinte nëse kryeqyteti madhështor i Asirisë kishte ekzistuar vërtet». Mirëpo pastaj, më 1845, arkeologu Ostin Henri Lajard filloi të gërmonte në vendin ku dikur kishte qenë Ninevia. Rrënojat që zbuluan arkeologët atje, dëshmuan për lavdinë e dikurshme të Ninevisë.

Profecitë për Ninevinë janë plotësuar pikë për pikë. Kjo na forcon besimin se do të përmbushen edhe profecitë e Biblës për fundin e fuqive politike të ditëve të sotme.—Dan. 2:44; Zbul. 19:15, 19-21.