Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE

Si ta përballosh sfilitjen?

Si ta përballosh sfilitjen?

ANILI ndihej më se i rraskapitur. Kishte filluar një punë të re që mund t’i sillte më shumë prestigj dhe të ardhura. Por tani i duhej të punonte deri natën vonë, madje edhe në fundjavë, ndonjëherë deri në 80 orë në javë. Ai thotë: «Mjedisi i punës ishte një kaos i vërtetë dhe gjithë përgjegjësia binte mbi mua. Mendova: ‘Ç’i bëra vetes?! Nëse nuk bëj diçka, mora fund.’» Anili po sfilitej gjithnjë e më shumë.

Sfilitja në vendin e punës nuk është thjesht lodhje; është më shumë se stresi i përditshëm në punë. Ajo karakterizohet nga rraskapitja kronike, ndjenja të forta acarimi dhe këputja fizike. Ata që vuajnë nga sfilitja priren të mos përfshihen emocionalisht në punë, të humbasin motivimin dhe të kenë rendiment më të ulët. Studimet e lidhin sfilitjen edhe me një sërë problemesh emocionale e fizike.

Nga se vjen sfilitja? Shpesh një nga faktorët është mbingarkesa në punë. Për shkak të presionit ekonomik, disa punëdhënës u kërkojnë punonjësve të punojnë me orar të zgjatur, ndonjëherë edhe me pagesë më të ulët. Tani, teknologjia i mban disa të lidhur gjithë kohën me punën, duke mjegulluar kufijtë midis punës dhe jetës private. Për disa, pasiguria në punë, fakti që nuk lejohen të marrin as vendimin më të vogël në punën e tyre ose ndjenjat e trajtimit me padrejtësi çojnë drejt sfilitjes. Shkak janë edhe përparësitë e paqarta ose mosmarrëveshjet me shokët e punës.

Ndonjëherë, shkaku mund të jesh edhe ti vetë. Në përpjekje për të bërë karrierë dhe për të fituar më shumë, disa përpiqen të marrin përsipër më tepër punë. Ata mund të përkushtohen më shumë se ç’duhet dhe pa e kuptuar, shkojnë drejt sfilitjes.

Si ta marrësh veten nëse je i sfilitur për shkak të punës? Kuptohet, ndryshimi mund të jetë i pamundur nëse ndihesh si i zënë në grackë në rrethana që nuk i ke në dorë. Por, shqyrto katër hapat në vijim që të ndihmojnë ta përballosh sfilitjen. Mund të kesh më shumë mundësi se ç’mendon për t’ia dalë mbanë.

 1. SHQYRTO PËRPARËSITË.

Çfarë ka më tepër rëndësi për ty? Ndër gjërat e para në listë, shumë veta do të renditnin familjen dhe shëndetin. Ka gjasa që këto gjëra të vuajnë nëse ndihesh i sfilitur.

Kur i ke të qarta përparësitë, përgatitesh për të marrë vendime të vështira dhe për të pranuar kompromiset që duhet të bësh. Për shembull, mund të kuptosh se puna po të çon në sfilitje. Megjithatë mund të arsyetosh: «Nuk mund të ndryshoj punë apo të punoj më pak; kam nevojë për pará!» Është e vërtetë, të gjithë kanë nevojë për pará, por për sa ke nevojë dhe sa do të sakrifikosh nga gjërat që vlerëson më tepër?

Ki kujdes nga presioni për të përvetësuar përparësitë e njerëzve përreth teje. Përparësitë e punëdhënësit tënd mund të ndryshojnë nga të tuat. Të tjerë mund të zgjedhin të vënë punën në vend të parë, por kjo nuk do të thotë se edhe ti duhet të bësh të njëjtën gjë.

PARIMI BIBLIK: «EDHE KUR DIKUSH KA ME BOLLËK, JETA E TIJ NUK VARET NGA GJËRAT QË ZOTËRON.»—LUKA 12:15

2. THJESHTO JETËN.

Për të pakësuar stresin dhe për të pasur kohë për gjërat që vlerëson vërtet, mund të mendosh të punosh më pak orë, mund të arrish ta bindësh punëdhënësin që të bësh më pak gjëra në punë ose mund të vendosësh të gjesh punë tjetër. Çfarëdo që të vendosësh, ndoshta do të të duhet të rregullosh situatën tënde financiare dhe të bësh ndryshime në mënyrën e jetesës. Kjo nuk është e pamundur dhe mund të mos jetë aq e vështirë sa mendon.

Në shumë vende, shoqëria konsumatore jep mesazhin që lumturia varet nga të ardhurat dhe zotërimet. Por në të vërtetë nuk është kështu. Jeta e thjeshtë të jep më shumë liri dhe kënaqësi. Që të jesh gati për një ndryshim të tillë, ul shpenzimet dhe kurse pará. Përpiqu të pakësosh ose të eliminosh borxhet. Fol me familjen për nevojën për të bërë ndryshime dhe kërko mbështetjen e tyre.

PARIMI BIBLIK: «NËSE KEMI Ç’TË HAMË, Ç’TË VESHIM E KU TË FUTIM KOKËN, LE TË KËNAQEMI ME KAQ.»—1 TIMOTEUT 6:8

 3. MËSO T’I THUASH JO PUNËS.

Nëse je tejet i ngarkuar ose ke ndonjë problem të vazhdueshëm në punë, fol me punëdhënësin. Sa herë të jetë e mundur, ofro zgjidhje që plotësojnë edhe nevojat e tua, edhe të punëdhënësit. Siguroje për përkushtimin tënd ndaj punës dhe shpjegoji çfarë je i gatshëm të bësh; por thuaji qartë dhe me vendosmëri çfarë nuk arrin të bësh.

Tregohu largpamës dhe ji realist. Nëse do që të punosh më pak, ndoshta punëdhënësi pret që ti të pranosh edhe uljen e rrogës. Parashiko rreziqet, si kërcënimi për humbjen e punës, dhe përgatitu për t’i dhënë përgjigje. Mos harro se ka më tepër gjasa të gjesh punë tjetër ndërsa je ende në punë.

Edhe pasi të kesh arritur një marrëveshje të përbashkët me punëdhënësin, ki parasysh se mund të hasësh përsëri presion për të marrë përsipër më tepër punë. Çfarë mund të të ndihmojë të jesh i vendosur? Përmbaju zotimeve që ke bërë. Në këtë mënyrë do të jesh në gjendje t’i kërkosh punëdhënësit të bëjë të njëjtën gjë, përfshirë edhe të respektojë marrëveshjen që keni bërë për kufijtë e ngarkesës në punë.

PARIMI BIBLIK: «NËSE THONI ‘PO’, LE TË JETË ‘PO’, DHE NËSE THONI ‘JO’, LE TË JETË ‘JO’.»—MATEU 5:37

 4. ÇLODHU.

Edhe nëse nuk ke probleme të mëdha në punë, prapëseprapë mund të kesh stres, mund të kesh të bësh me njerëz të vështirë dhe situata të pakëndshme. Prandaj, çlodhu mjaftueshëm dhe zbavitu me ekuilibër. Mos harro, nuk është e thënë që argëtimi të jetë i kushtueshëm që ti dhe familja të përtëriheni.

Merru me gjëra që të pëlqejnë dhe zër miqësi jashtë pune, e mos lejo që të identifikohesh në bazë të llojit dhe të sasisë së punës që bën. Pse? Libri Paratë ose jetën (anglisht) vëren: «Personi që je, është shumë më i rëndësishëm se ajo që bën për të fituar pará.» Nëse identiteti dhe vlera jote si njeri varen kryesisht nga puna, atëherë do ta kesh të vështirë të minimizosh rolin e punës në jetën tënde.

PARIMI BIBLIK: «ËSHTË MË MIRË TË KESH NJË GRUSHT ME PUSHIM, SE DY GRUSHTE ME MUND DHE DUKE U RROPATUR PAS ERËS.»—EKLISIASTIU 4:6

A mund t’i bësh vërtet ndryshimet e nevojshme për ta përballuar me sukses sfilitjen? Po. Anili që përmendëm në fillim të këtij artikulli, arriti të bënte ndryshime. Ai thotë: «Kontaktova ish-punëdhënësin tim dhe i kërkova që të më punësonte përsëri, dhe pranoi. Më erdhi turp t’u dilja para ish-kolegëve që u kisha thënë se do të gjeja një punë më të mirë. Kisha një rrogë goxha më të ulët, por fitova paqe mendore dhe kisha më shumë kohë për familjen dhe për gjëra të tjera që i vlerësoja vërtet.»