Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Denga gjithnjë e më alarmuese

Denga gjithnjë e më alarmuese

Denga gjithnjë e më alarmuese

«Shërbimet Shëndetësore të shtetit të Morelos . . . , në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetit të Këshillit të qytetit Emiliano Zapata, i japin këtë certifikatë paraprake Sallës së Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait . . . për përpjekjet e përbashkëta [të Dëshmitarëve] për të pasur ambiente të pastra e pa vatra shumimi të mushkonjave që bartin dengën.»

AUTORITETET në Meksikë kanë arsye të shqetësohen për mushkonjat sëmundjebartëse. Këto insekte të vockla e të bezdisshme mund të përhapin një virus të rrezikshëm që shkakton dengën, sëmundje që mund të kërcënojë jetën e që në vitin 2010 preku mbi 57.000 njerëz në Meksikë. Ky vend është vetëm një nga më shumë se 100 vendet ku tani denga është një sëmundje rajonale. Në fakt, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kohët e fundit ka llogaritur se çdo vit mund të ketë 50 milionë raste të sëmundjes së dengës në mbarë botën dhe se rreth dy të pestat e popullsisë së saj rrezikojnë të preken nga kjo sëmundje. Prandaj, autoritetet e shëndetit kanë organizuar programe për zhdukjen e mushkonjës pikabardhë Aedes aegypti, një nga insektet që bart virusin e dengës. *

Denga është më e përhapur në zonat me klimë tropikale e subtropikale, sidomos gjatë stinës së shirave dhe pas ndonjë katastrofe natyrore, si uragani ose përmbytja. Kjo ndodh sepse mushkonja femër Aedes i shtron vezët ku të gjejë ujë të ndenjur. * Meqë në Amerikën Latine dhe në Karaibe njerëzit e mbledhin dhe e ruajnë ujin në depozita çimentoje, specialistët e shëndetit i porositin t’i mbajnë ato të mbuluara. Kjo bën që depozitat të mos kthehen në vatra shumimi të mushkonjave. Gjithashtu, mund të parandalohet shtimi i mushkonjave edhe duke mos mbajtur në oborr goma, kanaçe, vazo lulesh e enë plastike të vjetra​—çdo gjë ku mund të mbetet ujë i ndenjur.

Si ta dallojmë dhe ta trajtojmë dengën?

Zakonisht denga diagnostikohet gabim për shkak se i ka simptomat si ato të gripit. Megjithatë, sipas OBSH-së, duhet dyshuar për dengë në rast se ethet shoqërohen me shpërthim puçrrash në trup, dhembje prapa syve, si dhe dhembje muskujsh e dhembje të forta kyçesh. Ethet zgjatin nga pesë deri në shtatë ditë.

Mjekët nuk kanë gjetur ende një kurë për dengën, por në shumicën e rasteve ajo mund të trajtohet në shtëpi duke pushuar mirë e duke pirë mjaft lëngje. Megjithatë, pacientit duhet t’i rrihet në kokë në rast se zhvillohen ethet hemorragjike të dengës ose sindromi i shokut të dengës. Këto komplikacione ndonjëherë vdekjeprurëse mund të shfaqen pasi kalojnë ethet e para dhe kur duket sikur pacienti po e merr veten. Cilat janë disa nga simptomat e kësaj gjendjeje më serioze? Therje barku të forta, të vjella të vazhdueshme, gjak nga hundët dhe nga mishrat e dhëmbëve, jashtëqitje me ngjyrë të zezë dhe flluska të kuqe nën lëkurë. Veç këtyre, simptomat e sindromit të shokut të dengës mund të përfshijnë pagjumësi, etje të tepruar, lëkurë të zbehtë e të ftohtë dhe presion shumë të ulët të gjakut.

Mjerisht, antibiotikët nuk bëjnë efekt, sepse denga është një infeksion viral dhe jo bakterial. Gjithashtu, do të ishte mirë që pacienti të mos përdorte barna antipezmatuese, si aspirinë dhe ibuprofen, pasi këto mund të rritin rrezikun për hemorragji. Ka katër tipa të virusit të dengës dhe sëmundja mund të merret më shumë se një herë.

Nëse prekeni nga denga, pushoni mirë dhe pini mjaft lëngje. Gjithashtu, mbrohuni sa të mundeni me një rrjetë kundër mushkonjave, që të mos ju pickojnë e t’ua ngjitni sëmundjen edhe të tjerëve.

Por, para së gjithash, çfarë mund të bëni që të mos ju pickojnë? Mbani mëngë të gjata, vishni pantallona ose fustane të gjata dhe përdorni ilaç kundër mushkonjave. Megjithëse mund të pickojnë në çdo moment të ditës, ato janë më aktive rreth dy orë pas lindjes së diellit dhe para perëndimit. Gjithashtu, një mbrojtje e mirë mund të jetë të flini nën një rrjetë të lyer me ilaç kundër mushkonjave.

Koha do ta tregojë nëse vaksinat mund të mbrojnë deri diku nga sëmundja e dengës. Megjithatë, ajo që do të zhdukë përfundimisht të gjitha sëmundjet, edhe dengën, është Mbretëria e Perëndisë. Në të vërtetë, do të vijë koha kur Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan».​—Zbulesa 21:3, 4.

[Shënimet]

^ par. 3 Në disa vende, këtë virus mund ta bartin edhe mushkonja të tjera, si Aedes albopictus.

^ par. 4 Mushkonjat Aedes zakonisht përshkojnë pak qindra metra nga vendi ku kanë dalë nga veza.

[Diagrami në faqen 25]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Kontrolloni për vatra shumimi

1. Gomat e hedhura

2. Ulluqet e shiut

3. Vazot e luleve

4. Enët plastike

5. Kanaçet dhe fuçitë e flakura

Si të mbroheni nga pickimi i mushkonjave?

a. Mbani mëngë të gjata, vishni pantallona ose fustane të gjata. Përdorni ilaç kundër mushkonjave

b. Përdorni rrjetë kundër mushkonjave kur flini

[Burimi i figurës në faqen 24]

Burimi: me mirësjellje nga Marcos Teixeira de Freitas