Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Moisiu—Njeri apo mit?

Moisiu—Njeri apo mit?

KUR Moisiu lindi, jeta e tij ishte në rrezik. Populli i tij përbëhej nga familje nomade, të cilat bashkë me babanë e tyre Jakobin ose Izraelin, kishin ardhur të banonin në Egjipt që të mos vdisnin nga uria. Për dhjetëvjeçarë të tërë, këta njerëz kishin bashkëjetuar në paqe me egjiptianët. Por më vonë ndodhi një ndryshim i kobshëm. Një dëshmi e respektuar historike thotë: «Doli në Egjipt një mbret i ri . . . Ai i tha popullit të tij: ‘Ja, populli i bijve të Izraelit është më i shumtë dhe më i fortë se ne. Të përdorim, pra, dinakëri ndaj tyre, me qëllim që të mos shumëzohen.’» Cili ishte plani? Të mbanin nën kontroll shtimin e popullsisë së Izraelit, duke i detyruar ata që «t’u shërbenin me ashpërsi» dhe pastaj duke i urdhëruar mamitë hebreje të vritnin çdo mashkull që lindte. (Eksodi 1:8-10, 13, 14) Por pavarësisht nga këto masa shtypëse, izraelitët u shtuan në sajë të guximit të mamive, të cilat nuk iu bindën këtij urdhri. Atëherë, mbreti i Egjiptit dekretoi: «Çdo mashkull që lind, hidheni në lumë.»​—Eksodi 1:22.

Një çift izraelit, Amrami dhe Jokebeda, «nuk u frikësuan nga urdhri i mbretit». (Hebrenjve 11:23) Jokebeda lindi një bir, për të cilin më vonë do të thuhej se kishte «bukuri hyjnore». * (Veprat 7:20) Ndoshta në njëfarë mënyre, ata e dalluan se ky fëmijë ishte i veçantë në sytë e Perëndisë. Sido që të jetë, ata nuk pranuan ta dorëzonin fëmijën e tyre që të vritej. Duke vënë jetën në rrezik, vendosën ta fshihnin.

Pas tre muajsh, prindërit e Moisiut nuk mund ta fshihnin më. Meqë nuk kishin rrugë tjetër, ata menduan të bënin diçka. Jokebeda e vuri foshnjën në një arkë prej papirusi dhe e la të pluskonte në lumin Nil. Pa e kuptuar, ajo po bënte hapin e parë që ai të futej në histori.​—Eksodi 2:3, 4, BR.

A janë ngjarje të besueshme?

Sot, shumë studiues i shpërfillin këto ngjarje, duke i quajtur thjesht një trill të fantazisë. Në revistën Christianity Today thuhet: «E vërteta është se nuk është gjetur as edhe një provë e drejtpërdrejtë arkeologjike që dëshmon për [vitet e] qëndrimit të bijve të Izraelit në Egjipt.» Mbase provat materiale të drejtpërdrejta mungojnë, megjithatë ka mjaft prova të tërthorta dëshmojnë se tregimi biblik është i besueshëm. Në librin e tij Izraeli në Egjipt (anglisht) egjiptologu Xhejms K. Hofmajer thotë: «Të dhënat arkeologjike e tregojnë qartë se në Egjipt shkonin shpesh popuj nga Lindja [vende që ndodhen në brigjet lindore të Mesdheut], sidomos për shkak të problemeve klimatike që sillnin si pasojë thatësirën . . . Për këtë arsye, aty rreth vitit 1800 e deri në vitin 1540 p.e.s., Egjipti ishte një vend që parapëlqehej për emigrim nga popujt semitë të Azisë Perëndimore.»

Për më tepër, tashmë nga shumë kohë është pranuar se përshkrimi që i bën Bibla skllavërisë në Egjipt është i saktë. Libri Moisiu: Një biografi thotë: «Me sa duket, një pikturë e gjetur në një varr të lashtë egjiptian, e cila është riprodhuar shpesh, vërteton tregimin biblik të shtypjes së izraelitëve. Aty tregohet qartë dhe me hollësi se si një grup skllevërish bënin tulla balte.»

Po kështu, duket i vërtetë edhe përshkrimi i Biblës për arkën e vogël që përdori Jokebeda. Bibla thotë se ajo ishte prej papirusi dhe sipas Cook’s Commentary, papirusi «përdorej shumë nga egjiptianët për mjete lundrimi të lehta e të shpejta».

Megjithatë, a nuk është e vështirë të besohet që një udhëheqës kombi të urdhëronte me gjakftohtësi vrasjen e foshnjave? Studiuesi Xhorxh Rolinson na kujton: «Vrasja e foshnjave . . . ka qenë mjaft e përhapur në kohë e në vende të ndryshme dhe është parë si diçka pa rëndësi.» Ç’është e vërteta, s’ka nevojë të shkosh larg që të gjesh në kohët tona shembuj po kaq rrëqethës të vrasjeve në masë. Tregimi i Biblës mund të jetë tronditës, por mjerisht është plotësisht i besueshëm.

E adopton familja e faraonit

Jokebeda nuk ia la rastësisë të ardhmen e foshnjës së saj. Ajo «e la [arkën] në kallamishtën në bregun e lumit» Nil. Ka mundësi që ky të ishte një vend ku ajo shpresonte se arka do të binte në sy. Atje shkonte të lahej vajza e faraonit, ndoshta rregullisht. *​—Eksodi 2:2-4.

Arka e vogël ra shpejt në sy. Vajza e faraonit «e hapi dhe pa fëmijën; dhe ja, i vogli po qante; asaj iu dhimbs dhe tha: ‘Ky është një fëmijë hebre.’» Kështu princesha egjiptiane vendosi ta adoptonte. Cilido qoftë emri që i kishin vënë në fillim prindërit, ai është harruar prej shumë kohësh. Sot, në mbarë botën, ai njihet me emrin që i vuri nëna adoptuese, pra Moisi. *​—Eksodi 2:5-10.

Por, a nuk duket si përrallë që një princeshë egjiptiane të strehonte një fëmijë të tillë? Aspak, pasi feja egjiptiane mësonte se bamirësitë ishin një nga kërkesat për të shkuar në parajsë. Përsa i përket vetë adoptimit, arkeologia Xhois Tildzli thotë: «Gratë egjiptiane kishin arritur të drejta të barabarta me burrat. Ato kishin të drejta ekonomike dhe ligjore të njëjta, të paktën teorikisht, dhe . . . gratë mund të bënin adoptime.» Në Papirusin e Adoptimeve, një dokument i lashtë, flitet për adoptimin që një grua egjiptiane u bëri skllevërve të saj. Kurse përsa i përket punësimit të nënës së Moisiut si një mëndeshë me pagesë, një fjalor, The Anchor Bible Dictionary, thotë: «Pagesa që i jepej nënës natyrore të Moisiut për ta ushqyer me gji . . . të kujton marrëveshjet identike që bëheshin në kontratat e adoptimit në Mesopotami.»

Tani që e kishin adoptuar, a do t’ia mbanin të fshehtë Moisiut prejardhjen e tij hebreje, meqë ishte diçka e papëlqyeshme? Nga disa filma të Hollivudit duket sikur gjërat rrodhën kështu. Por Shkrimet flasin ndryshe. Motra e tij, Miriami, me zgjuarsi mori masa që Moisiu të mëndej nga nëna e vet, Jokebeda. Sigurisht, kjo grua me frikë Perëndie nuk do t’ia ketë fshehur të vërtetën djalit të saj. Dhe meqë në lashtësi shpesh fëmijët ushqeheshin me gji për disa vjet, Jokebeda kishte mjaft mundësi për t’i folur Moisiut për ‘Perëndinë e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit’. (Eksodi 3:6) Ky themel me mësime frymore, i vlejti shumë Moisiut, sepse kur ia dorëzuan bijës së faraonit, «Moisiu u arsimua me gjithë mençurinë e egjiptianëve». Ajo që thotë historiani Jozef, se Moisiu u ngrit në rangun e gjeneralit në një luftë me Etiopinë, nuk mund të provohet. Megjithatë, Bibla pohon se Moisiu «ishte i fuqishëm në fjalë e në vepra». *​—Veprat 7:22.

Aty nga mosha 40-vjeçare, Moisiu ishte gati për t’u bërë një udhëheqës i famshëm egjiptian. Pushteti dhe pasuria mund të ishin të tijat nëse do të qëndronte në familjen e faraonit. Në këtë kohë ndodhi diçka që ia ndryshoi jetën.

Mërgimi në Midian

Një ditë, Moisiu «pa një egjiptas që po rrihte një burrë hebre, një nga vëllezërit e tij». Për vite me radhë Moisiu kishte nxjerrë dobi, si nga origjina e tij hebraike, ashtu edhe nga qytetërimi egjiptian. Por kur pa që një izraelit po e rrihnin, ndoshta për vdekje, kjo e nxiti Moisiun të bënte një zgjedhje dramatike. (Eksodi 2:11) Ai «refuzoi të quhej biri i bijës së faraonit, duke zgjedhur të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë».​—Hebrenjve 11:24, 25.

Moisiu kreu një veprim të shpejtë e të pandreqshëm: «E vrau egjiptasin dhe e fshehu pastaj nën rërë.» (Eksodi 2:12) Ky nuk ishte një veprim i kryer nga dikush «që është i prirur për të shpërthyer papritur nga zemërimi» siç thoshte një kritik. Ndonëse i gabuar, ka mundësi që ky të ishte një veprim i kryer nga besimi në premtimin e Perëndisë se Izraeli do të çlirohej nga Egjipti. (Zanafilla 15:13, 14) Ndoshta Moisiu besonte me naivitet se veprimi që bëri do ta nxiste popullin e tij të ngrihej në revoltë. (Veprat 7:25) Sidoqoftë, ai u zhgënjye kur izraelitët nuk e pranuan udhëheqjen e tij. Kur faraonit i erdhi lajmi i vrasjes, Moisiu u detyrua t’ia mbathte në mërgim. Ai banoi në Midian dhe u martua me Ziporën, vajzën e Jetros, kryetarit të një fisi nomad.

Moisiu jetoi si një bari i thjeshtë për 40 vjet, një kohë mjaft e gjatë. Me kalimin e viteve, shpresa se do të bëhej një çlirimtar iu shua. Mirëpo, një ditë, ai e çoi kopenë e Jetros në një vend afër malit Horeb. Atje, engjëlli i Jehovait iu shfaq Moisiut në një kaçubë që po digjej. Përfytyroni skenën kur Perëndia e urdhëron: «Ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, nga Egjipti.» Por nga përgjigja e Moisiut kuptohet se ai ngurron, është i ndrojtur dhe i pasigurt te vetja. «Kush jam unë,—përgjigjet ai,—që të shkoj te Faraoni dhe t’i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?» Madje, ai zbulon një të metë që disa regjisorë nuk e kanë treguar. Me sa duket, kishte një problem me të folurit. Sa ndryshon Moisiu nga heronjtë e miteve ose legjendave të lashta! Ato 40 vjet që kaloi si bari e kanë bërë më të përulur dhe më të butë këtë njeri. Ndonëse Moisiu ndihet i pasigurt, Perëndia është i bindur që Moisiu është i përshtatshëm si udhëheqës.​—Eksodi 3:1–4:20.

Çlirimi nga Egjipti

Moisiu largohet nga Midiani, shkon te faraoni dhe i kërkon atij që ta lirojë popullin e Perëndisë. Mbreti kokëfortë nuk pranon dhe kështu Egjiptin e godasin dhjetë plagë shkatërruese. Plaga e dhjetë sjell vdekjen e të parëlindurve të egjiptianëve dhe faraoni i mposhtur, më në fund, i lë të lirë izraelitët.​—Eksodi, kapitujt 5–13.

Këto ngjarje janë mjaft të njohura për shumicën e lexuesve. Por, a kanë ndodhur vërtet? Disa thonë se meqë faraoni nuk përmendet me emër, historia duhet të jetë e trilluar. * Mirëpo Hofmajeri, që u përmend më sipër, thotë se shpesh shkruesit egjiptianë qëllimisht nuk i përmendnin emrat e armiqve të faraonit. Ai thotë: «Sigurisht historianët nuk mund ta mohojnë fushatën e Tutmesit III në Megido, vetëm ngaqë nuk janë regjistruar emrat e mbretërve të Kadeshit dhe të Megidos.» Hofmajeri thotë se emri i faraonit nuk është përmendur për «arsye të vlefshme fetare». Mbi të gjitha, duke e lënë faraonin pa emër, tregimi e tërheq vëmendjen drejt Perëndisë dhe jo drejt faraonit.

Pavarësisht nga kjo, kritikët nuk e pranojnë se ka ndodhur ndonjë eksod masiv i judenjve nga Egjipti. Studiuesi Homer U. Smith tha se një lëvizje e tillë masive «padyshim që do të kishte bërë jehonë të madhe në historinë egjiptiane ose siriane . . . Ka më shumë të ngjarë që legjenda e eksodit të jetë një tregim i shtrembëruar dhe i sajuar i largimit nga Egjipti për në Palestinë të një grupi pak a shumë të vogël judenjsh».

Është e vërtetë se nuk është zbuluar asnjë dokumentim egjiptian rreth kësaj ngjarjeje. Por sigurisht që egjiptianët nuk ngurronin t’i ndryshonin regjistrimet historike kur e vërteta i vinte në siklet ose binte ndesh me interesat e tyre politike. Kur Tutmesi III erdhi në pushtet, ai u përpoq të fshinte kujtimin e pararendëses së tij, Hatshepsutit. Egjiptologu Xhon Rei thotë: «Mbishkrimet për të i fshinë, obeliskët e saj i rrethuan me mur dhe monumentet e saj u harruan. Emri i saj nuk gjendet në kronikat e mëvonshme.» Orvatje të tilla për të ndryshuar ose për të fshirë fakte të papëlqyeshme kanë ndodhur edhe në kohët tona.

Sa për mungesën e dëshmive arkeologjike që flasin për qëndrimin në shkretëtirë, nuk duhet të harrojmë se judenjtë ishin nomadë. Ata nuk ndërtonin qytete; nuk kishin të mbjella. Me sa duket, ata linin pas veçse gjurmë të parëndësishme. Sidoqoftë, për këtë ngjarje ka prova bindëse në vetë Biblën. Në të gjithë këtë libër të shenjtë ka pjesë që flasin për të. (1 Samuelit 4:8; Psalmi 78; Psalmi 95; Psalmi 106; 1 Korintasve 10:1-5) Është domethënëse që edhe Jezu Krishti dëshmoi se gjërat që ndodhën në shkretëtirë ishin të vërteta.​—Gjoni 3:14.

Pra, s’ka dyshim që tregimi i Biblës për Moisiun është i besueshëm, i vërtetë. Megjithatë ai jetoi shumë kohë përpara. Çfarë ndikimi mund të ketë Moisiu në jetën tuaj sot?

^ par. 3 Fjalë për fjalë do të thotë «i bukur për Perëndinë». Sipas një shpjeguesi biblik, The Expositor’s Bible Commentary, ka mundësi që kjo shprehje të mos i referohet vetëm tipareve fizike jashtëzakonisht të bukura të fëmijës, por edhe «cilësive të zemrës».

^ par. 11 Në Cook’s Commentary thuhet se bërja e banjës në lumin Nil «ishte e zakonshme në Egjiptin e lashtë. Nili adhurohej si diçka që e kishte origjinën nga Osirisi dhe thuhej se ujërat e tij kishin fuqi të pashoqe për të dhënë jetë dhe pjellori».

^ par. 12 Origjina e këtij emri ka ngjallur debate mes studiuesve. Në hebraisht Moisi do të thotë «i nxjerrë; i shpëtuar nga uji». Historiani Jozef Flavi tha se emri Moisi ishte bashkim i dy fjalëve në gjuhën egjiptiane që do të thoshin «ujë» dhe «i shpëtuar». Edhe sot disa studiues e pranojnë se emri Moisi e ka origjinën nga gjuha egjiptiane, por ata mendojnë se ka më shumë mundësi që ky emër të ketë kuptimin «bir». Gjithsesi ky argumentim bazohet në tingëllimin e ngjashëm të emrit «Moisi» me disa emra egjiptianë. Meqë askush nuk e di saktësisht se si shqiptoheshin në të shkuarën hebraishtja dhe gjuha egjiptiane, këto teori janë thjesht hamendje.

^ par. 14 Në librin Izraeli në Egjipt thuhet: «E gjithë ideja se Moisiu u rrit në oborrin mbretëror egjiptian duket si legjendë. Por një shqyrtim më i thellë i oborrit mbretëror në Mbretërinë e Re tregon se e vërteta është ndryshe. Tutmesi III . . . nisi një praktikë të re, sipas së cilës princat e mbretërve vasalë nga Azia Perëndimore çoheshin në Egjipt që t’i mësonin sipas zakoneve egjiptiane . . . Pra nuk ishte e çuditshme që në oborrin mbretëror egjiptian të shihje edhe princa e princesha të huaja.»

^ par. 22 Disa historianë thonë se faraoni për të cilin flitet tek Eksodi ishte Tutmesi III. Të tjerë thonë se ishte Amenofi II, Ramsesi II etj. Meqë kronologjia e shtetit të Egjiptit nuk është e rregullt, është e pamundur të gjesh me saktësi se kush ishte ky faraon.