Sipas Gjonit 20:1-31

  • Varri është bosh (1-10)

  • Jezui i shfaqet Maria-Magdalenës (11-18)

  • Jezui u shfaqet dishepujve (19-23)

  • Thomai dyshon, por më vonë beson (24-29)

  • Qëllimi i kësaj rrotulle (30, 31)

20  Ditën e parë të javës, Maria-Magdalena vajti te varri* herët,+ kur ishte akoma errësirë, dhe pa se gurin tashmë e kishin hequr nga varri.*+  Prandaj vrapoi e shkoi te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, të cilin Jezui e kishte veçanërisht për zemër,+ dhe u tha: «Zotërinë e kanë hequr nga varri+ dhe nuk e dimë ku e kanë vënë.»  Atëherë Pjetri dhe dishepulli tjetër u nisën për te varri.  Filluan të vraponin të dy bashkë, por dishepulli tjetër vrapoi më shpejt se Pjetri dhe arriti i pari te varri.  Kur u përkul pak përpara, pa copat e linosë përtokë,+ mirëpo nuk hyri brenda.  Pas tij erdhi edhe Simon Pjetri dhe hyri brenda varrit. Ai i pa copat e linosë përtokë,  kurse napa që kishte qenë në kokën e Jezuit, nuk ishte bashkë me copat e tjera, por e mbështjellë më vete.  Pastaj hyri edhe dishepulli tjetër që kishte arritur i pari te varri dhe, kur e pa me sytë e vet, e besoi atë që i kishin thënë.  Por ata nuk e kuptonin akoma shkrimin që thoshte se ai duhej të ngrihej nga të vdekurit.+ 10  Kështu dishepujt u kthyen në shtëpitë e tyre. 11  Kurse Maria rrinte jashtë, afër varrit, dhe qante. Ndërsa po qante, u përkul pak përpara për të parë brenda varrit 12  dhe vuri re dy engjëj+ të veshur me të bardha, të ulur në vendin ku më parë shtrihej trupi i Jezuit, njëri nga koka dhe tjetri nga këmbët. 13  Ata e pyetën: «Grua, pse po qan?» Ajo u përgjigj: «Kanë marrë Zotërinë tim dhe nuk e di ku e kanë vënë.» 14  Pasi tha këto fjalë, u kthye dhe pa Jezuin që po rrinte në këmbë, por nuk e dalloi që ishte ai.+ 15  Jezui e pyeti: «Grua, pse po qan? Kë po kërkon?» Duke menduar se ai ishte kopshtari, ajo i tha: «Zotëri, nëse e ke çuar diku, ma thuaj ku e ke vënë, e unë do ta marr.» 16  Jezui i tha: «Mari!» Ajo u kthye dhe i tha në hebraisht: «Rabóni!» (që do të thotë «Mësues!») 17  Jezui i tha: «Mos më shtrëngo më, se unë nuk kam shkuar ende lart tek Ati. Por shko te vëllezërit e mi+ dhe thuaju: ‘Unë po ngjitem tek Ati im+ dhe Ati juaj, te Perëndia im+ dhe Perëndia juaj.’» 18  Maria-Magdalena vajti dhe u çoi dishepujve lajmin: «Kam parë Zotërinë!», dhe u tregoi çfarë i kishte thënë ai.+ 19  Atë ditë, që ishte dita e parë e javës, dishepujt u mblodhën bashkë në mbrëmje. Jezui iu shfaq atyre, edhe pse ata i kishin kyçur dyert nga frika e judenjve. Ai qëndroi mes tyre dhe u tha: «Paqja qoftë me ju!»+ 20  Pastaj u tregoi duart dhe brinjën.+ Kur panë Zotërinë, dishepujt s’i mbante vendi nga gëzimi.+ 21  Jezui u tha përsëri: «Paqja qoftë me ju!+ Ashtu si Ati më ka dërguar mua,+ edhe unë po ju dërgoj ju.»+ 22  Pastaj fryu mbi ta dhe u tha: «Merrni frymë të shenjtë.+ 23  Nëse ia falni mëkatet dikujt, ato i falen, dhe nëse nuk ia falni, ato nuk i falen.» 24  Por Thomai,+ një nga të Dymbëdhjetët që quhej Binjaku, nuk ishte me ta kur erdhi Jezui. 25  Prandaj, kur dishepujt e tjerë i thanë: «Kemi parë Zotërinë!», ai ua ktheu: «Po të mos shoh shenjat e gozhdëve në duart e tij, të vë gishtin në shenjën e gozhdëve e të vë dorën në brinjë,+ nuk do ta besoj kurrë.» 26  Tetë ditë më pas, dishepujt e tij ishin mbledhur përsëri dhe bashkë me ta ishte edhe Thomai. Ndonëse dyert ishin të kyçura, Jezui erdhi, qëndroi mes tyre dhe tha: «Paqja qoftë me ju!»+ 27  Pastaj i tha Thomait: «Vëre gishtin këtu e shihi duart e mia, zgjate dorën e vëre në brinjën time dhe mos dysho më,* por beso.» 28  Atëherë Thomai i tha: «Zotëria im dhe Perëndia im!» 29  Jezui ia ktheu: «Ngaqë më pe, besove? Lum ata që nuk shohin, e prapëseprapë besojnë!» 30  Jezui sigurisht kreu para dishepujve edhe shumë shenja* të tjera, që nuk janë shkruar në këtë rrotull.+ 31  Por këto janë shkruar që të besoni se Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë dhe, falë besimit, të keni jetë me anë të emrit të tij.*+

Shënimet

Ose «varri përkujtimor».
Ose «varri përkujtimor».
Fjalë për fjalë «mos ji mosbesues».
Ose «mrekulli».
Domethënë, duke treguar besim tek emri i tij.